SHOQËRI

Artikull

Një meteorit u zbulua në malin Stara Pllanina, pranë qytetit Montana

Një meteorit u zbulua në malin Stara Pllanina, pranë qytetit Montana

FOTO: Shoqata Bullgare e Kërkuesve të Arit të Papërpunuar dhe Meteoritëve

Madhësia e shkronjave

Një objekt i jashtëzakonshëm nga hapësira e thellë – një meteorit me peshë mbi një kilogram – u zbulua në rajonin e qytetit Montana të Bullgarisë Veriperëndimore. Gjetja e rrallë u bë nga një banor vendas, i cili përdori një detektor metalesh. Meteori u gjet në një thellësi prej rreth 65 centimetrash, mes rrënjëve të një peme në zonën e malit Stara Pllanina, raporton Teodora Jordanova nga Radio Vidin e BNR-së.

Analizat fillestare të meteoritit tregojnë për një përmbajtje të lartë nikeli, që është një nga treguesit kryesorë të origjinës jashtëtokësore. Meteori do t’i nënshtrohet analizave të hollësishme laboratorike, certifikimit dhe procedurës për regjistrimin e tij në buletinet zyrtare të meteoritëve të Shoqatës Botërore të Meteoritëve. Për këtë qëllim, një mostër e vogël do t’i dërgohet një shkencëtari francez për analiza të thelluara laboratorike. “Nëse procedura përfundon me sukses, ky do të jetë vetëm meteorit i dytë bullgar i regjistruar zyrtarisht që nga krijimi i Shoqatës Bullgare të Kërkuesve të Arit të Papërpunuar dhe Meteoritëve, pas meteoritit “Orlov Doll”. Në buletinin botëror janë regjistruar edhe disa meteorite të tjerë, por të gjithë janë gjetur shumë kohë më parë”, tha Kirill Stamenov nga organizata.


Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova