Autor
Vesella Krësteva
Artikull
„Reçenica“ – të mësosh gjuhën bullgare në ritmin e kohës bashkëkohore
Çfarë është „gjuha e trashëgimisë“ – termin e ri e komenton doc. dr. Venera Mateeva-Bajçeva nga Universiteti i Sofjes
FOTO: Vesella Krësteva
Madhësia e shkronjave
Në prag të vitit të ri shkollor dhe para pushimeve verore të deputetëve të Parlamentit të Bullgarisë, sërish u fol për ndryshime ligjore në sistemin arsimor të vendit tonë. Në fund të muajit korrik, nga partia qeverisëse „Bullgaria Progresive“ u propozuan ndryshime në Ligjin për arsimin parashkollor dhe shkollor, të cilat synojnë identifikimin e hershëm të problemeve gjuhësore te nxënësit, përmirësimin e integrimit gjuhësor, zhvillimin e kompetencave morale, sociale dhe qytetare, si dhe futjen e një ore mësimore për virtytet dhe fenë. Ndryshimet e propozuara parashikojnë mjete të standardizuara për vlerësimin e aftësive gjuhësore gjatë regjistrimit në kopsht, në përfundim të arsimit parashkollor, gjatë regjistrimit në klasën e parë, si dhe pas kthimit nga jashtë shtetit ose për fëmijët me status të mbrojtjes ndërkombëtare apo të përkohshme. „Çdo reformë është një proces i gjatë, veçanërisht në arsim, ku rezultatet do të jenë të dukshme pas vitesh“, tha në një intervistë për programin „Horizont“ të Radios Kombëtare Bullgare, lidhur me propozimet e bëra, njëri prej hartuesve të projektligjit, Dimitër Zdravkov, deputet i grupit „Bullgaria Progresive“ dhe kryetar i Komisionit për Arsimin në Kuvendin Popullor. Sipas tij, ndryshimet e parashikuara janë hapat e parë të nevojshëm drejt një shkrim-leximi më të mirë gjuhësor dhe vlerave të qëndrueshme te të rinjtë. Rezultatet e vlerësimeve të jashtme kombëtare dhe të pjesëmarrjes së Bullgarisë në studimet ndërkombëtare tregojnë në mënyrë të padiskutueshme nevojën për mbështetje gjuhësore, theksoi ai.
Dimitër Zdravkov
FOTO: BGNES
„Nëse nuk identifikojmë se ku qëndron problemi dhe në cilën fazë shfaqet, krijojmë kushte që ai të thellohet dhe të bartet në klasat e mëvonshme. Me ndryshimet që propozojmë, ne po vendosim një instrument për identifikimin e vështirësive në nivelin gjuhësor që zotërojnë fëmijët në momentin e hyrjes në kopsht, në përfundim të kopshtit dhe në hyrje të shkollës. Kjo do të përcaktohet hollësisht në një Standard Shtetëror Arsimor për përvetësimin e gjuhës letrare bullgare. Do të ketë mbështetje të specializuar sipas nevojave specifike të fëmijëve, pavarësisht se cilat grupe fëmijësh preken nga kjo – e dini, ka fëmijë bullgarë që nuk e zotërojnë gjuhën sepse ajo nuk është gjuha e tyre amtare; ka të tjerë që janë kthyer në vend pas viteve të jetesës jashtë shtetit, si dhe fëmijë që kanë lindur në një mjedis tjetër gjuhësor. Ne propozojmë futjen e një klase përgatitore zero para fillimit të klasës së parë (në Bullgari kjo ndodh në moshën 7-vjeçare), ku ata të mund ta përvetësojnë gjuhën bullgare në një nivel që do t’u mundësojë një fillim të barabartë në klasën e parë.“
Në sesionin e ri parlamentar, propozimet do të diskutohen në nivelin e komisioneve dhe, nëse ndryshimet miratohen, ato mund të hyjnë në fuqi më së shpejti gjatë vitit shkollor 2028–2029. Kjo u bë e ditur nga intervista e Veselina Millanovës me Dimitër Zdravkovin nga „Bullgaria Progresive“.
FOTO: Facebook / ABUÇ
Mësimdhënia dhe të nxënit e gjuhës bullgare si gjuhë e dytë dhe e huaj, metodat dhe mjetet e mbështetjes në kushtet e realitetit të sotëm u diskutuan gjithashtu në kuadër të edicionit të 19-të të Konferencës Vjetore, të organizuar nga Shoqata e Shkollave Bullgare Jashtë Vendit (ABUÇ) në fund të muajit korrik në Sofje. Doc. dr. Venera Mateeva-Bajçeva – pedagoge e gjuhës bullgare si gjuhë e huaj në Departamentin „Gjuha bullgare si gjuhë e huaj“ pranë Fakultetit të Filologjisë Sllave të Universitetit të Sofjes „Shën Kliment Ohridski“ – u foli të pranishmëve për projektin „Reçenica“ – një sistem integral për mësimin e gjuhës bullgare si gjuhë e huaj (e dytë). Prej dy vitesh e gjysmë, ekipi i departamentit po zhvillon dhe bashkon burime arsimore të llojeve të ndryshme, të ndërtuara mbi parime të njëjta metodike. Sistemi u drejtohet të gjithë atyre për të cilët gjuha bullgare nuk është gjuhë amtare, përfshirë studentët e huaj që studiojnë në Universitetin e Sofjes, si dhe bullgarët që jetojnë jashtë vendit, përfshirë nxënësit e shkollave bullgare të së dielës, nga mosha 12 vjeç e lart, ose pas klasës së pestë.
Doc. dr. Venera Mateeva-Bajçeva
FOTO: Vesella Krësteva
„Ai përfshin elemente të veçanta, të cilat mund të përdoren si në mënyrë të pavarur, ashtu edhe në lidhje me njëra-tjetrën. Qëllimi i tyre kryesor është të krijojnë modele të të nxënit, përmes të cilave të arrihet kompetenca komunikuese e nxënësve, domethënë që ata të mund të hyjnë lehtësisht dhe shpejt në komunikimin në gjuhën bullgare në mjedisin tonë. Ne po punojmë për krijimin e teksteve mësimore që fillimisht do t’u drejtohen studentëve tanë të huaj, por në fakt e dimë se po krijojmë tekste që do të përdoren gjerësisht në mbarë botën dhe në mjedise të ndryshme. Kjo sepse temat në tekstet që po krijojmë lidhen me komunikimin e përditshëm, udhëtimet, blerjet, pjesëmarrjen në veprimtari sociale dhe të tjera argëtuese. Prandaj mendojmë se fëmijët pas klasës së pestë në shkollat e së dielës do të mund të punojnë me një pjesë të madhe të elementeve të „Reçenica“ me shumë sukses.“
FOTO: Vesella Krësteva
Materialet mësimore përfshijnë tekste të ndryshme – tregime, lajme, broshura, udhëzime, orare dhe formularë, të përzgjedhura në varësi të nivelit gjuhësor dhe qëllimeve komunikuese. Janë parashikuar gjithashtu udhëzime metodike për mësuesit që japin mësim në nivel universitar ose shkollor të gjuhës bullgare në mbarë botën.
Ndër qëllimet kryesore të projektit, doc. dr. Venera Mateeva-Bajçeva veçoi zhvillimin e aftësive komunikuese në përputhje me Kuadrin e Përbashkët Evropian të Referencës për Gjuhët, për nivelet nga A1 deri në C2. Krijimi i testeve të reja të provimeve është një element i rëndësishëm i çdo sistemi gjuhësor, por ato kanë edhe funksionin e tyre të rëndësishëm administrativ, sepse përdoren për pranimin në arsimin universitar në Bullgari, si dhe për marrjen e shtetësisë bullgare, thekson doc. Bajçeva. „Niveli A2 është niveli i gjuhës bullgare që pritet nga autoritetet tona zyrtare“, shpjegon ajo.
FOTO: Vesella Krësteva
Përpara Radio Bullgarisë, pedagogia tha se tekstet e reja mësimore për nivelet A1 dhe A2, të cilat do të përdoren për mësimin e gjuhës bullgare si gjuhë e huaj, tashmë janë krijuar në kuadër të projektit „Reçenica“ nga gjuhëtarët e Universitetit të Sofjes „Shën Kliment Ohridski“. Përmbajtja e tyre u diskutua gjithashtu gjatë Seminarit të 63-të Veror për Gjuhën dhe Kulturën Bullgare për bullgaristë dhe sllavistë të huaj, i cili u zhvillua nga 12 korriku deri më 1 gusht në institucionin e arsimit të lartë më të vjetër në vend – Universitetin e Sofjes. Pas përfundimit të periudhës së testimit dhe bërjes së korrigjimeve të nevojshme, pritet që ato të shtypen nga Shtëpia Botuese Universitare në muajin shtator.
Është zhvilluar gjithashtu një fjalor tematik shumëgjuhësh për nivelet A1 dhe A2, i cili përmban mbi 1800 fjalë në gjuhën bullgare, angleze, gjermane, ruse dhe çeke. Fjalori përfshin leksik të organizuar sipas tematikave, formulat e mirësjelljes më të përdorura, togfjalësha dhe shtojca, dhe është i destinuar si për punë në mjedis mësimor, ashtu edhe për komunikim praktik.
Gjatë vitit akademik të ardhshëm pritet të zhvillohen edhe tekstet mësimore për nivelet më të larta gjuhësore. „Kjo është një ngjarje e madhe për ne dhe për komunitetin tonë të bullgaristëve, sepse botimi i fundit i universitetit daton nga viti 2014“, thotë doc. Bajçeva, e cila e kupton qartë se ritmet e ndryshimit të botës në të cilën jetojmë përcaktojnë edhe ndryshimet gjuhësore në komunikimin tonë dhe sfidat e reja për mësimin e gjuhës bullgare. Gjatë prezantimit të saj dhe në kuadër të Konferencës Vjetore të ABUÇ-it, u theksua edhe një herë se mësimi i gjuhës sonë mund të zhvillohet si mësim i një gjuhe të dytë, të huaj, por edhe si formë e gjuhës së trashëgimisë.
FOTO: Vesella Krësteva
„Ky term, ‚gjuhë e trashëgimisë‘, ka filluar të përdoret gjatë viteve të fundit dhe tashmë është përmendur disa herë se shkollat tona të së dielës kanë nxënës që janë migrantë të gjeneratës së dytë, madje edhe të tretë, domethënë gjuha tashmë mbetet edhe si gjuhë e dytë për prindërit e këtyre fëmijëve. Kjo është gjuha e trashëgimisë në familje, por kjo gjuhë nuk është aktive askund – ata komunikojnë me njëri-tjetrin, në jetën e tyre të përditshme, në një gjuhë tjetër të parë që tashmë e kanë përvetësuar. Kjo terminologji – gjuhë e parë, gjuhë e dytë dhe gjuhë e trashëgimisë – nuk është ende plotësisht e qartësuar as në teoritë tona shkencore, por dallimi bëhet sipas shkallës dhe intensitetit të përdorimit. Domethënë, mund të kemi një situatë në të cilën një nënë bullgare flet me fëmijën e saj në bullgarisht, dhe kjo, sipas termit të vjetër, është gjuha e tij amtare, por në zhvillimin shoqëror të këtij fëmije kjo gjuhë amtare nuk është gjuha e tij e parë, sepse ai arsimohet në anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose spanjisht. E dini se, në sistemet arsimore të vendeve të tjera, fëmijët fillojnë të ndjekin shkollën shumë më herët se bashkëmoshatarët e tyre bullgarë – që në moshën 3–4 vjeç. Kjo nuk duhet të na shqetësojë – kjo është situata e bullgarëve në mbarë botën aktualisht, por ajo aktivizon përpjekjet tona që gjuha bullgare të mos humbasë. Dhe në fakt, këtu kolegët nga shkollat e së dielës kanë kontributin e tyre të jashtëzakonshëm, sepse edhe tashmë në pozicionin e gjuhës bullgare të trashëgimisë, gjuha bullgare është një pasuri për fëmijët në rritje me rrënjë dhe prejardhje bullgare.“
Nga pikëpamja metodike dhe organizative, ndryshimet në mësimin e gjuhës bullgare si gjuhë e dytë, e huaj ose e trashëgimisë nuk janë të mëdha, siguron doc. Bajçeva. Për këtë arsye, ajo dhe ekipi i studiuesve të projektit „Reçenica“ mbështeten në përvojën e paraardhësve të tyre në mësimdhënien e leximit dhe shkrimit bullgar si gjuhë e huaj, por e ndërthurin këtë metodikë dhe teori me situatat e reja të ditëve të sotme.
FOTO: Vesella Krësteva
„Dhe ne e bëjmë këtë me vetëdijen për misionin që kemi ndaj të gjithë njerëzve që do të dëshironin ta zotëronin mirë gjuhën bullgare. Pavarësisht nëse do të jenë të huaj që kanë ardhur në vendin tonë për të studiuar ose punuar, nëse do të jenë njerëz që kanë humbur lidhjen e drejtpërdrejtë me gjuhën bullgare dhe nuk jetojnë këtu, apo nëse do të jenë fëmijë të familjeve nga pakicat bullgare. Ne mendojmë se mund të krijojmë modele përmes të cilave gjuha bullgare të jetë aktive si gjuhë zyrtare e vendit tonë.“
FOTO: Vesella Krësteva
Me buzëqeshje, doc. dr. Venera Mateeva-Bajçeva thotë se tekstet mësimore dhe sistemi që po ndërtojnë studiuesit e Universitetit të Sofjes do të jenë një ndihmë e madhe jo vetëm për mësuesit në shkollat bullgare të së dielës në mbarë botën, por gjithashtu edhe për shumë prindër të fëmijëve bullgarë me kombësi të ndryshme. „Kolegët kanë treguar, për shembull, për grupet e baballarëve, për shumë të afërm që dëshirojnë të integrohen në realitetin gjuhësor bullgar të fëmijëve të tyre dhe atëherë këto tekste mësimore mund të përdoren nga e gjithë familja“, shpjegon doc. Bajçeva. Dhe në përfundim pranon se „gjuha bullgare nuk është e lehtë, por ka ambasadorët e saj të frymëzuar në mbarë botën, të cilët nuk pushojnë së bëri atë që është e nevojshme që ajo të bëhet më e njohur për t’u mësuar dhe që fillimi i të folurit të lehtësohet në mënyrë pragmatike. Ndërsa gjuha jonë tashmë po fiton një popullaritet të konsiderueshëm“, sqaron ajo.
Projekti „Reçenica“ është pa afat dhe do të jetë plotësisht i hapur për të gjithë përdoruesit, sepse ky është misioni i tij – që gjuha bullgare të tingëllojë kudo në botë, aty ku ka nevojë për të.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski