Artikull
Ministri i Mbrojtjes: Politikanët tanë ndihmuan operacionin hibrid të Iranit
Dimitër Stojanov
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
“Irani kreu një operacion hibrid shumë të mirëorganizuar, i cili, për fat të keq, u ndihmua edhe nga politikanë bullgarë. Për fat të keq, ky operacion hibrid do të vazhdojë.” Këtë e deklaroi ministri bullgar i mbrojtjes, Dimitër Stojanov, gjatë një konference për mediat në Parlamentin bullgar. Ai u pyet për të dhënat më të fundit të inteligjencës lidhur me një kërcënim të mundshëm nga Irani, si edhe nëse avionët amerikanë u larguan nga baza ajrore e Bezmerit sepse Bullgaria nuk siguroi mbrojtjen e mjaftueshme për këtë bazë. Stojanov tha qartë se nuk do të bëjë publike të dhëna të inteligjencës. Ai theksoi se politikanët bullgarë duhet të tregojnë shumë më tepër përgjegjësi kur flasin publikisht dhe pa kujdes për deklarata apo qëndrime që vijnë nga pala iraniane.
Sa u përket avionëve amerikanë, ministri tha se ata u larguan sipas planit të paracaktuar dhe se për këtë plan kishte informacion paraprak. “Operacionet kanë një ritëm të caktuar dhe ky ritëm po respektohet”, shtoi ai.
Më 19 gusht, Financial Times publikoi një informacion sipas të cilit forcat iraniane po shqyrtojnë mundësinë e sulmeve ndaj objekteve dhe aseteve amerikane në Evropën Juglindore, përfshirë edhe Bullgarinë, e cila muajin e kaluar, miratoi përdorimin e bazës së saj ajrore “Bezmer” për furnizimin me karburant të avionëve amerikanë, kujton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).
Lexoni më shumë në arkivin tonë:
- Ministri i Mbrojtjes: Nuk ka rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare
- Janë marrë masa parandaluese për sigurinë e bazës ajrore ushtarake “Bezmer”
- Avionët amerikanë në Bezmer nuk e ndryshojnë qasjen tonë ndaj Iranit
- Aeroplanët amerikanë nuk na bëjnë palë në konfliktin me Iranin, tha Presidentja
- Irani: Vendosja e avionëve amerikanë në Bullgari është një vendim i rrezikshëm
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova