POLITIKË

Artikull

Politologja doc. Tatjana Buruxhieva:

Durimi i bullgarëve ndaj qeverisësve po bëhet gjithnjë e më i pakët

Durimi i bullgarëve ndaj qeverisësve po bëhet gjithnjë e më i pakët

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Parlamenti bullgar rifillon punën pas pushimeve verore të deputetëve, ndërsa pikërisht pas një muaji do të nisë edhe fushata zgjedhore njëmujore që i paraprin zgjedhjeve presidenciale të vendit, të planifikuara për më 25 tetor 2026.

Sezoni i ri politik premton të jetë i nxehtë edhe në sfondin e pritshmërive dhe premtimeve të qeverisë për reforma në Buxhetin 2027. A do të arrijë partia e Kryeministrit Rumen Radev, “Bullgaria Progresive”, t’i bindë votuesit e saj se ndryshimi do të ndodhë, dhe si do të ndikojë fushata presidenciale në jetën parlamentare? Për situatën foli për BNR Plovdiv politologja dhe pedagogja universitare, doc. Tatjana Buruxhieva.

Sipas saj, kandidaturat e shpallura deri tani nuk janë sinjal për ndryshim në jetën politike, “sepse tradicionalisht në Bullgari partia në pushtet ka presidentin e saj”. Ajo komentoi gjithashtu ndryshimet në Kodin Zgjedhor të miratuara nga qeveria, të cilat sipas saj krijojnë dyshime nëse rezultatet e votimit do të pasqyrojnë plotësisht vullnetin e zgjedhësve:

Doc. Tatjana Buruxhieva

Doc. Tatjana Buruxhieva

FOTO: BTA

“Dyshimet do të rëndojnë vazhdimisht mbi presidentin e sapozgjedhur, kushdo qoftë ai, se është zgjedhur jo krejtësisht sipas vullnetit të votuesve. Për më tepër, pritshmëritë janë më tepër të drejtuara ndaj pushtetit ekzekutiv, ndaj asaj që ai u ka premtuar simpatizantëve të vet, mbështetësve të vet, njerëzve që ndihmuan aq shumë që kjo fushatë të realizohej. Ata tani presin rezultate dhe një kthim të gjestit për ndihmën e tyre, si votuesit për votën që kanë dhënë, ashtu edhe qarqe të ndryshme ekonomike të oligarkisë tashmë të mposhtur. Prandaj, e gjithë vëmendja është e përqendruar më tepër tek ajo që saktësisht do të ndodhë. Dhe avantazhi i madh, do të thosha, i kësaj qeverisjeje është se ata vazhdimisht i paraqesin gjërat në atë mënyrë që ne të detyrohemi t’i interpretojmë vetë.”

Buruxhieva theksoi se sfida kryesore për qeverinë gjatë sezonit të ri politik do të jetë përmbushja e angazhimeve të marra, veçanërisht në fushën e të ardhurave, reformave dhe luftës kundër korrupsionit. Ajo i cilësoi si tepër të përgjithshme formulimet në programin qeverisës. Sipas saj, ato u lejojnë grupeve të ndryshme shoqërore dhe ekonomike ta gjejnë veten në objektivat e shpallura, por nuk japin qartësi të mjaftueshme se si do të arrihen konkretisht këto synime. Ajo komentoi: “Duhet të presim veprimet dhe të shohim rezultatet e tyre, në mënyrë që të mund të kuptojmë nëse premtimet po përmbushen vërtet.”

Durimi i bullgarëve ndaj qeverisësve po bëhet gjithnjë e më i pakët

FOTO: BGNES

Politologia nënvizoi se 100 ditët e para të një qeverisjeje janë periudha në të cilën, kur ekziston një shumicë politike, duhet të ndërmerren veprimet më vendimtare. Sipas saj, mungesa e veprimeve të tilla vë në pikëpyetje mesazhin parazgjedhor të partisë “Bullgaria Progresive”: “Jemi gati.”

Mbështetja për qeverinë mund të bjerë shpejt nëse pritshmëritë e njerëzve për të ardhura më të larta nuk përmbushen, parashikoi politologja, duke paralajmëruar gjithashtu për rrezikun e një rritjeje të re të çmimeve:

“Por për pjesën më të madhe të shoqërisë, sipas mendimit tim, durimi është një burim mjaft i kufizuar. Nëse në vitet e kaluara një qeveri e tillë gëzonte komoditetin e të paktën një mandati të plotë dhe madje të një mandati të dytë në horizont, më duket se dinamika e sotme, lëvizshmëria, bota e re dhe komunikimi shumë i ndryshëm, si edhe fakti që njerëzit tashmë kërkojnë diçka krejt tjetër nga politikanët, do ta ndryshojnë këtë. Mbi të gjitha, është pikërisht ky durim gjithnjë e më i shkurtër, që kërkon rezultate këtu, sot dhe tani, e jo në një të ardhme të shtyrë dhe hipotetike, që do t’u luajë një lojë të keqe qeverisësve.”

Kryeministri Rumen Radev

Kryeministri Rumen Radev

FOTO: BGNES

Sipas doc. Buruxhievës, në mungesë të një politike bindëse për të ardhurat, mund të priten protesta dhe një largim i mëtejshëm i shoqërisë nga qeverisësit. Politologja shtoi se kufizimet që, sipas saj, krijohen nga ndryshimet në Kodin Zgjedhor mund të shtojnë tensionin shoqëror, në vend që t’i japin mundësi atij të shprehet në mënyrë demokratike. Buruxhieva ishte kategorike:

“Nuk mund ta mbyllësh tenxheren me presion duke mos i dhënë asnjë mundësi të hapet dhe që avulli të dalë në çfarëdo mënyre.”

 

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva