Artikull
Opera e Stara Zagorës fton të gjithë “Në bregun e Seutopolisit të lashtë”
FOTO: Opera Shtetërore e Stara Zagorës
Madhësia e shkronjave
Nën sipërfaqen e qetë të ujit të liqenit të digës “Koprinka” vazhdon të jetojë Seutopolisi i lashtë – kryeqyteti i sundimtarit trak Seut III. Nga 27 deri më 30 gusht 2026, për të gjashtën herë, në bregun e qytetit të përmbytur, një nga skenat e hapura më tërheqëse në Bullgari bashkon muzikën, teatrin dhe kërcimin.
FOTO: Opera Shtetërore e Stara Zagorës
Fillimi i festivalit “Në bregun e Seutopolisit të lashtë” u vendos nga Opera Shtetërore e Stara Zagorës në vitin 2021, me mbështetjen e Bashkisë së Kazanllëkut, në kuadër të “Festave në Luginën e Mbretërve Trakë”. Në vitet e mëparshme, publiku duartrokiti disa nga shfaqjet më mbresëlënëse të teatrit të operës në Stara Zagora. Sot festivali ka fituar një profil të veçantë – me një repertor të larmishëm shumëzhanror, produksione tërheqëse dhe një ndjesi unike të historisë mijëravjeçare të vendit ku zhvillohet.
FOTO: Opera Shtetërore e Stara Zagorës
Çdo edicion shton një nuancë të re në hartën kulturore të Kazanllëkut dhe e shndërron bregun e liqenit të digës “Koprinka” në një skenë me identitetin e vet artistik. Këtë vit, “Në bregun e Seutopolisit të lashtë” ofron një program intrigues me klasikën operistike bullgare, një operetë të famshme evropiane dhe një koncert bashkëkohor.
FOTO: Opera Shtetërore e Stara Zagorës
Më 27 gusht do të prezantohet opera “Lud Gidia” e Parashkev Haxhievit, e frymëzuar nga poema me të njëjtin emër e Penço Sllavejkovit. Me personazhet e saj të spikatura, subjektin emocionues dhe gjuhën e pasur muzikore, vepra, në të cilën është koduar fjalë për fjalë geni bullgar, është një zgjedhje e natyrshme për bregun e Seutopolisit të lashtë, ku jetojnë legjendat dhe shpirti i tokës bullgare.
Më 29 gusht, skena pranë liqenit të digës “Koprinka” pret humorin elegant, meloditë e bukura dhe atmosferën festive të kryeveprës së shkëlqyer të operetës “Lakuriqi i natës” të Johann Strauss-it të Ri, nën drejtimin e dirigjentit Vlladimir Boshnakov.
FOTO: Opera Shtetërore e Stara Zagorës
Festivali përfundon më 30 gusht me koncertin “Rock Swings”, me Vasill Petrovin, orkestrën e Operës Shtetërore të Stara Zagorës dhe miqtë, nën drejtimin e dirigjentit Cvetomir Vasilev.
“Festat në Luginën e Mbretërve Trakë” janë ndër aktivitetet më të rëndësishme të Bashkisë së Kazanllëkut. Çdo vit ato bashkojnë forma tradicionale dhe bashkëkohore të arteve të ndryshme, me qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore të trakëve të lashtë.
Redaktoi: Cvetana Tonçeva
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski