POLITIKË

Artikull

Dimitër Stojanov: E vetmja zgjidhje për ruajtjen e hapësirës ajrore është MiG-29

Dimitër Stojanov

Dimitër Stojanov

FOTO: BGNES

Madhësia e shkronjave

Situata në Forcat Ajrore Bullgare është e vështirë dhe, për momentin, e vetmja zgjidhje është përdorimi i avionëve MiG-29, sado e pakëndshme të jetë kjo për disa njerëz. Këtë e deklaroi ministri i mbrojtjes, Dimitër Stojanov, gjatë një seance dëgjimore në Komisionin Parlamentar të Mbrojtjes. Ai tha se për të nuk ka rëndësi nëse avionët që përdoren për “air policing”, pra për patrullimin dhe mbrojtjen e hapësirës ajrore të vendit, janë MiG-29 apo F-16. Sipas ministrit, Bullgaria nuk ka mundësi të marrë avionë F-16 të përdorur. “Sot në mëngjes mora një letër nga kompania Saab, e cila prodhon avionët luftarakë Gripen, dhe edhe ata na thanë se nuk kanë mundësi të na ofrojnë avionë të përdorur”, tha Stojanov. Sipas tij, alternativa e vetme është që Bullgaria të sigurojë pjesë këmbimi për avionët MiG-29 nga Polonia, por deri tani Polonia ende nuk ka dhënë një përgjigje. Dimitër Stojanov theksoi se, nëse ndonjë prej MiG-29-ve që Bullgaria ka aktualisht del jashtë përdorimit, vendi do të mbetet vetëm me tetë avionë F-16, të cilët nuk janë të mjaftueshëm për të garantuar patrullimin e hapësirës ajrore. Për këtë arsye, Ministria e Mbrojtjes do të bëjë çdo përpjekje për të siguruar pjesë këmbimi për avionët rusë nga Polonia, Hungaria ose një vend tjetër që nuk është nën kufizime apo sanksione. Qëllimi është që Bullgaria të jetë në gjendje ta mbrojë vetë hapësirën e saj ajrore dhe të jetë një aleat i besueshëm, sepse kemi deklaruar se një numër i caktuar avionësh duhet të jenë gjithmonë në gatishmëri”, përfundoi ministri.

 

Redaktoi: Diana Cankova

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova