Artikull
U gjet shtetasja bullgare e raportuar më herët e zhdukur në Nepal
FOTO: EPA/BGNES
Madhësia e shkronjave
Nuk ka shtetas bullgarë që rezultojnë të zhdukur në Nepal pas përmbytjeve shkatërruese që goditën vendin. Më herët, autoritetet nepaleze përfshinë në listën e personave të kërkuar një shtetas bullgar, por rezulton se bëhet fjalë për një shtetase bullgare. Këtë e bëri të ditur Ministria e Punëve të Jashtme për BNR. Shtetasja bullgare që ndodhet në Nepal ka kontaktuar me përfaqësinë diplomatike bullgare në Delhi. Ajo ndodhet në një vend të sigurt, por ka humbur dokumentet e saj të identifikimit. Ambasada bullgare në Delhi e ka ndihmuar në distancë për të siguruar një dokument të përkohshëm udhëtimi nga përfaqësia e një vendi anëtar të BE-së në Nepal.
Më herët, Ministria e Punëve të Jashtme njoftoi se kishte marrë zyrtarisht nga autoritetet kineze informacionin për një shtetas bullgar të zhdukur si pasojë e përmbytjeve në Tibet dhe Nepal. Ambasadat bullgare në Kinë dhe Indi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet në rajonin e prekur dhe po ndjekin zhvillimin e situatës.
Nga Ministria e Punëve të Jashtme bëjnë të ditur gjithashtu se ambasada bullgare në Pekin ka ndihmuar një shtetas bullgar të kontaktojë me bashkëshorten e tij, e cila po udhëtonte në mënyrë të organizuar në rajonin e prekur. Ajo aktualisht ndodhet në Tibet në një vend të sigurt.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova