Artikull
Një bullgare i mbijetoi për mrekulli tragjedisë në Nepal
FOTO: AP/BTA
Madhësia e shkronjave
Një shtetase bullgare ndodhej në epiqendrën e tragjedisë në Nepal dhe vetëm për mrekulli shpëtoi pa lëndime. Pikërisht ajo ishte shpallur e zhdukur nga autoritetet nepaleze. Ambasada bullgare në Nju Delhi njoftoi se nuk ka të dhëna për shtetas të tjerë bullgarë që ndodhen në vështirësi, raportoi BNT. “Zbrisni nga autobusi” – këto janë fjalët që Suzana Aleksieva dëgjoi vetëm pak sekonda para se një valë gjigante të përfshinte gjithçka. Suzana ndodhej në një nga autobusët që prisnin në radhë përpara pikës kufitare, e cila u shkatërrua plotësisht.
“Papritur, në ajër filloi të fluturonte diçka, si fishekzjarre, diçka gri. Pastaj gjithçka u përshpejtua dhe ngjyra filloi të bëhej gjithnjë e më e errët. Diçka fluturonte në ajër dhe binte nga diku. Banorët vendas hapën dritaret dhe thanë se duhej të hidheshim. Pastaj u hap dera e autobusit dhe të gjithë u hodhëm. Ishim shumë me fat që pikërisht aty ku kishim ndaluar në radhë kishte një shkallë dhe kjo na shpëtoi. Vrapuam drejt shkallëve”, tregon Suzana.
I gjithë grupi prej 13 personash u ngjit në mal, derisa gjeti një vend të sigurt. Më pas ata u evakuuan me helikopter.
“Shikonim poshtë se çfarë po ndodhte. Ishte një rrëmujë e madhe me gurë, pluhur dhe ujë. Lumi doli nga shtrati dhe kishte shtëpi shumë pranë tij. Ato u shembën plotësisht. Autobusi ynë u përmbys. Më 26 gusht do të festoj ditëlindjen time të dytë”, thotë bashkëkombësja jonë.
Pasaporta e Suzanës humbi në pikën kufitare, ndërsa në faqen e internetit të Bordit të Turizmit të Nepalit u njoftua se mes personave të zhdukur pa gjurmë ishte edhe një shtetas bullgar.
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova