Lajm
Radio Varna dëgjohet deri në Suedi
Një radioentuziast suedez vizitoi Radio Varnën, sepse vite më parë kishte kapur sinjalin e stacionit në valë të shkurtra
Dielë 11 Tetor 2026 09:00
Dielë, 11 Tetor 2026, 09:00
Michael Andersson
FOTO: Radio Varna
Madhësia e shkronjave
Një itinerar turistik mund të fillojë nga harta e Evropës, por ndonjëherë të çon në një takim të papritur – përpara derës së një radiostacioni. Kështu, suedezi Michael Andersson mbërrin në Varna jo vetëm si mysafir i bregdetit bullgar të Detit të Zi, por edhe si një njeri që vite më parë kishte dëgjuar sinjalin e Radio Varnës nga një distancë që në pamje të parë duket e pamundur.
Por le të fillojmë që nga fillimi. Ju prezantojmë me Michael Andersson. Ai dhe bashkëshortja e tij, Anika, e zgjodhën Bullgarinë për pushimet e tyre njëjavore pothuajse spontanisht. Shikojnë hartën e Evropës, shohin një vend ku nuk kishin qenë më parë dhe vendosin ta vizitojnë.
„Erdhëm për pushime njëjavore dhe qëndruam në Ballçik. Për pushim, not, ushqim të mirë, shëtitje dhe, në përgjithësi, për të kaluar një kohë shumë, shumë të këndshme“ – tregon Michael Andersson.
Një nga ditët i çon edhe në Varna. Qyteti i impresionon me Kopshtin e Detit dhe me atmosferën e një qyteti bregdetar.
FOTO: varna.bg
Për Michael Andersson, megjithatë, vizita ka edhe një drejtim tjetër, më personal. Dhe ky është Radio Varna, sepse radioja është prej kohësh një pasion i tij.
„Kisha kontrolluar paraprakisht, sepse doja të dija se ku ndodhej radiostacioni. Thashë me vete se, nëse do të ishim jashtë dhe do të shëtisnim, ndoshta do të kalonim aty pranë.“
Dhe kështu, pas drekës në Varna, të dy, ai dhe bashkëshortja e tij, nisen drejt detit dhe vendosin të kërkojnë ndërtesën e radiostacionit. E gjejnë. Por takimi rezulton të jetë diçka më shumë sesa thjesht një kuriozitet turistik. Michael Andersson është një njeri që dëgjon radiostacione nga e gjithë bota. Ai e quan veten DX-er – një radioentuziast që kërkon sinjale nga distanca të largëta. Dhe pikërisht në këtë mënyrë, vite më parë, kishte arritur të dëgjonte Radio Varnën në Suedi – në valë të shkurtra.
Ndërtesa e Radio Varnës
FOTO: Michael Andersson
„Arrita ta dëgjoja Radio Varnën në valë të shkurtra dy herë. Herën e parë ishte para tre vitesh, dhe më pas – edhe një herë gjatë vitit pasues“ – kujton Michael.
Në pamje të parë, kjo tingëllon e pamundur. Por gjatë verës, shpjegon ai, ndonjëherë shtresat e atmosferës krijojnë kushte në të cilat sinjalet radio reflektohen dhe përshkojnë distanca jashtëzakonisht të mëdha. Kështu, një sinjal i transmetuar nga Bullgaria mund të arrijë deri në Skandinavi.
„Ndonjëherë gjatë verës shtresat në atmosferë i reflektojnë sinjalet. Kështu, ato nisen nga Bullgaria lart në hapësirë dhe më pas zbresin deri në Suedi.“
Michael Andersson e përshkruan këtë dukuri si një lloj „tubi në qiell“ midis dy vendeve të largëta. Nëse në një moment të tillë dëgjoni radio në Bullgari, thotë ai, mund të kapni stacione suedeze FM. Ndërsa në Suedi – stacione bullgare.
FOTO: Michael Andersson
Takimi me Radio Varnën nuk do të mbetet vetëm një kujtim personal. Michael Andersson është pjesë e një klubi të radioentuziastëve në Suedi, i cili boton një revistë disa herë në vit.
„Kur arrijmë të vizitojmë një radiostacion të caktuar, zakonisht përpiqemi të shkruajmë një artikull të shkurtër, për t’ua prezantuar atë lexuesve“ – thekson ai.
Kështu, edhe Radio Varna do të gjejë vend në revistën e radioamatorëve suedezë.
Nga Ballçiku në Varna, nga valët radiofonike të Detit të Zi deri te një marrës në Suedi – historia e Michael Andersson tregon se radioja ende mund të befasojë. Për të, Radio Varna nuk është më vetëm një sinjal i largët, i kapur në valët e verës. Ajo është një vend që e ka vizituar, njerëz me të cilët është takuar dhe një histori që do ta marrë me vete përsëri në Suedi. Një histori që do të gjejë vend në faqet e një reviste për ata që vazhdojnë të besojnë në magjinë e radios.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski
Publikoi / Publikuan: Sindi Nikollofski