Perkusionisti evropian Viktor Kraus dhe magjia e Bullgarisë

Martë, 6 Tetor 2026, 07:00

Perkusionisti evropian Viktor Kraus dhe magjia e Bullgarisë

FOTO: victorkraus.com

Madhësia e shkronjave

Tingulli i kambanave të Manastirit të Dragalevskit, pranë kryeqytetit bullgar, jehon shumë më larg nga sa mund të mendojmë – deri në sallat e koncerteve të Evropës. Për perkusionistin Viktor Kraus, ato u shndërruan në një motiv muzikor dhe në fillimin e një “Sofja Elektronike” të pazakontë…

Viktor Kraus ka lindur në vitin 1982 në Luksemburg, në një familje pianistësh. Nëna e tij është nga Bullgaria, babai nga Luksemburgu, ndërsa gjyshja e tij nga ana e babait ishte franceze. Ai mori arsimim të lartë muzikor në Universitetin e Muzikës në Karlsruhe, Hochschule für Musik Karlsruhe, ku mentori i tij ishte perkusionisti i njohur japonez Isao Nakamura, si edhe në Konservatorin e Muzikës në Strasburg, Conservatoire de musique de Strasbourg, nën drejtimin e të famshmit Emmanuel Séjourné – kompozitor, perkusionist dhe pedagog me karrierë botërore, të cilin Viktori e konsideron mentorin më të rëndësishëm të jetës së tij.

Perkusionisti evropian Viktor Kraus dhe magjia e Bullgarisë

FOTO: victorkraus.com

Kraus ka marrë pjesë në projekte të shumta në stile dhe zhanre të ndryshme muzikore. Në duon e instrumenteve të perkusionit KrausFrink, së bashku me Martin Frink, Viktori prezanton recitale klasike në salla prestigjioze dhe në festivale në Gjermani, Luksemburg dhe në mbarë Evropën, si edhe në Kinë. Disa kompozitorë të shquar bashkëkohorë nga Luksemburgu, Gjermania dhe Hungaria kanë krijuar vepra posaçërisht për duon KrausFrink.

Viktor Kraus ka dy albume të tij: “Eat this”, me duon KrausFrink, dhe “VOLT”, me “NOMAD the GROUP”.

Në vitin 2018, treshja më e njohur e xhazit nga Luksemburgu, “Dock In Absolute”, e ftoi për një turne në Brazil dhe që atëherë ai është bateristi i këtij formacioni. Me “Dock In Absolute” ai pati edhe paraqitjen e tij të fundit në Bullgari – më 14 gusht, në kuadër të festivalit Krakra Jazz në Pernik.

Viktor Kraus në festivalin Krakra Jazz në Pernik

Viktor Kraus në festivalin Krakra Jazz në Pernik

FOTO: Facebook /Krakra Jazz & Friends

Në një bisedë të gjatë dhe shumë interesante, posaçërisht për Radio Bullgarinë, në një bullgarishte të shkëlqyer, Viktor Kraus tregon se prindërit e nënës së tij kanë qenë këngëtarë dhe kanë punuar në Kapelën Korale Bullgare (sot Kori Kombëtar Filarmonik “Svetosllav Obretenov”). Që fëmijë ai vinte këtu disa herë në vit, ndërsa rreth moshës 17-vjeçare filloi të udhëtonte i vetëm, me një çantë shpine. Ai përshkoi të gjithë Evropën dhe Bullgaria ishte gjithmonë ndalesa e tij e fundit. Sot ai e viziton atdheun e nënës së tij me familjen e vet të paktën një herë në vit.

Rreth një dekadë më parë, i përballur me probleme të ndryshme, Viktori erdhi në Bullgari dhe krijoi një vepër me titull “Sofia Elektronike” (Electronical Sofia) për trio perkusioni, e frymëzuar nga mali Vitosha dhe Manastiri i Dragalevskit.

“Ne kemi një apartament të vogël të trashëguar nga gjyshja ime në Sofje dhe unë u ‘fsheha’ në atë apartament; aty kam edhe një piano. U ngjita në Vitosha, ku ndodhet një manastir, kalova pranë manastirit dhe pikërisht në atë moment dëgjova! Dëgjova kambanat – kambanat e vogla… dhe ritmin, dhe mënyrën se si tingëllonin… Diçka më frymëzoi dhe i mora këto kambana si bazë për këtë vepër, të cilën e shkrova në apartamentin në Sofje.”

Motivi i parë i vibrafonit në “Sofien Elektronike” gjysmë-elektronike – gjysmë-akustike është ai që dëgjohet kur kambanat e kishës së Manastirit të Dragalevskit lajmërojnë fillimin e liturgjisë. Sipas Viktor Kraus, ashtu si vetë vendi, edhe ky motiv ka një karakter metafizik. Klasika, xhazi, muzika elektronike dhe ambient, etnoja, klezmeri… Viktori e ka të vështirë të përcaktojë se cila është dashuria e tij më e madhe në muzikë. Formimi i tij është klasik, dhe i tillë ishte edhe ansambli i tij i parë – duoja KrausFrink, e cila interpreton muzikë bashkëkohore në salla prestigjioze, në recitale dhe me orkestra. Ata eksperimentojnë me muzikën elektronike, por duke përdorur instrumente klasike. Programet e tyre kombinojnë vepra bashkëkohore të kompozitorëve të njohur me krijimet e tyre origjinale, “në njëfarë mënyre muzikë elektronike, por për nga stili – jo tamam, sepse gjithçka që dëgjoni luhet drejtpërdrejt, dhe jo nga ndonjë kompjuter”, shpjegon Viktori.

Trembëdhjetë vitet në duon KrausFrink ai i përshkruan kështu: “Ishte një çmenduri absolute! Shumë punë, ishim shumë të rinj dhe imagjinonim se mund të ndërtonim në këtë mënyrë një karrierë serioze, të cilën në fakt e ndërtuam, por në atë kohë nuk e kuptonim se thjesht nuk ekzistonte tregu, sepse muzika klasike është një fushë e ngushtë, ndërsa ne ishim një ‘nish’ brenda një nishi: klasikë dhe perkusionist – kjo është shumë ekzotike. Ne nuk luanim atë që prisnin shumica e organizatorëve. Publiku nuk ka qenë kurrë problem, por organizatorët prisnin që perkusionet të ishin gjithmonë jashtëzakonisht të shpejta, virtuoze dhe shumë të zhurmshme. Ne mundeshim ta bënim këtë, po, ishim të shpejtë dhe të zhurmshëm. Por ne prisnim të shkonim përtej vetëm shpejtësisë dhe zhurmës…”

Perkusionisti evropian Viktor Kraus dhe magjia e Bullgarisë

FOTO: victorkraus.com

Pas 13 vitesh pune intensive erdhi lodhja nga duoja, ndërsa pasuan edhe oferta të tjera. Disa muaj më vonë, Viktori e gjeti veten në gjashtë ansamble të ndryshme, gjë që ishte gjithashtu e lodhshme. Prandaj, sot ai i ka reduktuar aktivitetet e tij në tre projekte – “VICTOR KRAUS GROUP”, ansamblin etnik “NOMAD the GROUP” dhe treshen e famshme botërore të xhazit “Dock In Absolute”. Për formacionin e fundit, Kraus konfirmon se është i njohur në mbarë botën, pavarësisht se vjen nga një shtet kaq i vogël si Luksemburgu: “Po, sepse ky shtet është kaq i vogël, saqë muzikantët e mirë duhet të përpiqen ta ndërtojnë karrierën e tyre jashtë vendit. Ne thjesht arritëm të jemi shumë të kërkuar përmes stilit të muzikës sonë.

Prej 17 vitesh ai jep mësim në Konservatorin e Luksemburgut. Ai mendon se kjo nuk e bën një instrumentist më të mirë, por i jep një këndvështrim tjetër mbi muzikën. Viktori tregon me krenari për një nga nxënësit e tij më të suksesshëm – Jassen Geisel, djalin e flautistes bullgare Maria Miteva, me të cilin ka punuar për dhjetë vjet. Së fundmi, 15-vjeçari Jassen është pranuar në Universitetin Mozarteum (Universität Mozarteum) në Salzburg, ku do të studiojë nën drejtimin e perkusionistit të njohur Martin Grubinger. Në Konservator, Viktor Kraus punon si me nxënës shumë të vegjël, ashtu edhe me nxënës më të rritur. E pyes nëse shkon mirë me ta, si i sheh ai fëmijët dhe adoleshentët e sotëm dhe nëse bota jonë ka të ardhme me brezat e rinj, nga të cilët të rriturit janë mjaft të zhgënjyer:

“Mendoj se nuk kanë pse të jenë të zhgënjyer, sepse të rinjtë janë rezultat i asaj që jemi ne, të rriturit. 12-, 13-, 14-, 15-vjeçarët nuk janë përgjegjës për atë që janë; ata janë ashtu siç i kemi edukuar ne dhe sipas asaj që u ofrojmë. Kur hip në një tren dhe fëmija im më thotë: ‘Babi, ma jep telefonin’, unë duhet t’i përgjigjem: ‘Nuk ka telefon, do të shikosh jashtë, shiko lopët’. Por ai, në tren, sheh vetëm të rritur që janë në telefon – çfarë t’i them? Po, e kuptoj pyetjen. Është e vërtetë që ekziston një problem shumë serioz me përqendrimin dhe këtë e shoh edhe unë shumë qartë – midis fillimit tim si mësues, në vitin 2009, kur smartfoni ishte ende një risi, dhe brezit të sotëm, i cili rritet me smartfonin. Ka një ndryshim të madh. A ka të ardhme? Të them të drejtën, në mënyrën se si paraqiten gjërat tani – gjeopolitikisht, ekologjikisht – e kam shumë të vështirë ta shoh të ardhmen në mënyrë pozitive. Po, unë kam tre fëmijë dhe, në fund të fundit, nuk mund t’i dëshpëroj si baba… Edhe nxënësve duhet t’u jap besim te jeta dhe te bota. Por duhet të mobilizohemi – forcat liberale, demokratike dhe humaniste në shoqëri duhet të mobilizohen më seriozisht, sepse politikisht, në këtë moment, gjërat nuk duken shumë mirë, ndërsa në Evropën Perëndimore – aspak. Ekstremistët janë te dera, presin – në Francë, në Gjermani, kudo, dhe nëse Franca dhe Gjermania bëhen ekstremiste, atëherë situata bëhet vërtet shumë e keqe.”

Perkusionisti evropian Viktor Kraus dhe magjia e Bullgarisë

FOTO: victorkraus.com

Viktor Kraus njeh disa muzikantë bullgarë shumë të suksesshëm në Evropë, për shembull perkusionistë si Boris Dinev dhe Vasilena Serafimova. Sipas tij, Bullgaria, në përgjithësi, nuk ka një imazh të mirë kombëtar dhe mbetet mjaft e panjohur. E vetmja gjë që ndoshta vlerësohet shumë në botë janë talentet vokale bullgare dhe marka botërore “Misteri i Zërave Bullgarë”. Ai mendon se shteti bullgar mund dhe duhet të merret seriozisht me promovimin e muzikës dhe muzikantëve bullgarë, sepse ka talente të jashtëzakonshme në një nivel shumë të lartë.

Çfarë është Bullgaria për të? “Në nivelin e parë, sigurisht, është thjesht emocion dhe nostalgji, sepse si fëmijë kam kaluar shumë kohë në Bullgari – në Sofje, në Ballkan, në Teteven. Në nivelin e dytë – jam rritur në një nga shtetet më të pasura të botës, por njoh kulturën, gjuhën dhe alfabetin e një prej vendeve më të varfra në Evropë (të varfra në kuptimin ekonomik), ndërsa, nga ana tjetër, një prej vendeve më të pasura nga pikëpamja kulturore. Pikërisht Bullgaria bashkon për mua këtë kulturë të lartë me diçka më shumë, diçka shumë autentike, pak të egër, sepse bullgarët janë shumë të lidhur me natyrën dhe me kulturën e tyre shumë të lashtë… Më pëlqen shumë mënyra e të menduarit… Është një vend mjaft i qetë – në kuptimin e mënyrës se si jetojnë njerëzit.”

Perkusionisti evropian Viktor Kraus dhe magjia e Bullgarisë

FOTO: Facebook /Victor Kraus

Çfarë do të dëshironte që të gjithë njerëzit në botë të dinin për Bullgarinë?

“Mendoj se gjëja e parë dhe më e rëndësishmja është bukuria – sigurisht, bukuria e natyrës. Dhe bukuria e muzikës vokale, e zërave bullgarë, pikërisht ‘misteri’ i këtyre zërave… Ose kombinimi midis zërave dhe natyrës! Mendoj se, për shkak se jam muzikant, për mua kjo është më e rëndësishmja – që njeriu t’i njohë këta zëra bullgarë. Sepse diçka e tillë nuk gjendet askund tjetër në botë dhe është unike për këtë vend, absolutisht magjike. E dini, dasma ime me gruan time u bë në Oreshak, në Ballkanin e Trojanit, dhe patëm fatin që arritëm të angazhonim ‘Eva Quartet’ për të kënduar në ceremoninë tonë. Ishte një moment absolutisht magjik. Pra, nëse më pyesni për një gjë në Bullgari që një njeri duhet patjetër ta njohë – janë zërat. Misteri i Zërave Bullgarë.”


Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski