Lajm
Mblidhet Këshilli i Sigurisë pas sulmit me dronë
Ursula von der Leyen: Zhvillimet në Detin e Zi ngjallin shqetësim
Martë 6 Tetor 2026 18:36
Martë, 6 Tetor 2026, 18:36
FOTO: president.bg
Madhësia e shkronjave
Presidentja Ilijana Jotova mbledh Këshillin Konsultativ për Sigurinë Kombëtare. Në qendër të diskutimeve do të jenë “rreziqet dhe kërcënimet aktuale ndaj sigurisë detare dhe infrastrukturës kritike të Bullgarisë, në kuadër të luftës në Ukrainë”, njoftoi sekretariati i shtypit i presidentes.
Më herët gjatë ditës, opozita i kërkoi presidentes të thërriste Këshillin Konsultativ për Sigurinë Kombëtare pas sulmit me dronë pranë bregdetit bullgar.
Ndërkohë, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i cilësoi sulmet si të papranueshme dhe tha se zhvillimet në Detin e Zi janë gjithnjë e më shqetësuese.
“Dy anije tregtare u goditën sot në zonën ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi. Kjo ndodhi vetëm një ditë pasi një anije turke që transportonte grurë ukrainas u godit dhe u mbyt pranë brigjeve të Rumanisë”, shkroi von der Leyen në një postim në rrjetin social “X”. Ajo shtoi se mes ekuipazheve të pafajshme të anijeve ka edhe viktima. Sipas presidentes së Komisionit Evropian, rrethanat e sakta të këtyre incidenteve ende nuk janë përcaktuar, por zhvillimet janë shqetësuese. Ajo theksoi se sulmet ndaj anijeve civile janë të papranueshme. “Shprehim solidaritetin tonë të plotë me vendet e BE-së në krahun lindor”, përfundoi von der Leyen.
Lexoni më shumë mbi temën në arkivin e Radio Bullgarisë:
- Një anije e goditur nga droni, pa ekuipazh, po lëviz në ujërat pranë Shablës
- Dronë goditën dy anije mallrash 80 milje detare nga bregu bullgar
Redaktoi Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitova