Autor
Diana Cankova
Lajm
Kontributi bullgar:
Dimitër Paskov zbulon ilaçin kundër poliomielitit
Për ilaçin e tij „Nivalin“, shkencëtari bullgar nderohet me „Oskarin“ e mjekësisë. Shpëton miliona fëmijë në mbarë botën
Mërkurë 7 Tetor 2026 14:45
Mërkurë, 7 Tetor 2026, 14:45
FOTO: Facebook / Televizioni Kombëtar Bullgar
Madhësia e shkronjave
Në kulmin e pandemisë së poliomielitit, që përfshiu botën gjatë viteve ’50 të shekullit të kaluar, një mjek bullgar merr një udhëzim nga lart, i cili do t’i shpëtojë fëmijët nga sëmundja që i linte të gjymtuar për gjithë jetën. Sipas historisë së përhapur, ai vëren një përmirësim të papritur në gjendjen e një vajze, e cila kishte pirë gotën me ujë që ndodhej mbi komodinën e saj në spital dhe në të ishin zhytur lule të dëllinjës së kënetës. Kështu, nga kjo „rastësi“ lind një ide, e cila do të sjellë një kthesë në trajtimin e poliomielitit falë ilaçit „Nivalin“.
FOTO: Pixabay
Historia e mjekut të shquar bullgar Dimitër Paskov fillon në vitin 1914 (18 tetor), në fshatin Gorno Brodi, pranë qytetit të sotëm grek Seres. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Maqedonia e Egjeut mbetet jashtë kufijve të Bullgarisë dhe familja e tij – së bashku me qindra mijëra refugjatë – vendos të shpërngulet në Sofje.
Në vitin 1940, Dimitër Paskov diplomohet në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Sofjes dhe bëhet mjek në fshatin Bëga, në Bullgarinë Jugore. Katër vjet më vonë, ai dërgohet në front për të lehtësuar dhimbjet e bullgarëve të plagosur, ku fiton vlerësimin: „I dashuri i të gjithë ushtarëve dhe oficerëve, që i ndihmonte gjithkujt dhe kishte një fjalë të mirë për secilin“. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, duke zgjedhur rrugën e shkencës, ai niset drejt Leningradit me ambicien për të vendosur bazat moderne të shkollës bullgare të farmakologjisë eksperimentale. Atje ai komunikon me shërues popullorë dhe punon me specialistë të fushës së mjekësisë, të cilët kryejnë kërkime mbi kafshët dhe bimët.
FOTO: mu-sofia.bg
Pas kthimit, shkencëtari merr drejtimin e Katedrës së Farmakologjisë në Institutin e Lartë të Mjekësisë në Sofje. Njohja e pasurisë bimore të vendit, e cila, sipas fjalëve të tij, është e dyta vetëm pas bimëve mjekësore të Himalajeve, do ta ndihmojë në vitin 1956 të bëjë zbulimin e tij të madh. Ai nxjerr nga gjethet dhe lulet e dëllinjës së kënetës përbërësin antikolinesterazë – një alkaloid të quajtur galantaminë. E izoluar në formë të pastër, ajo merr emrin „Nivalin“.
FOTO: Pixabay
„Nga vaji i përzier me vaj makinerish u sëmura dhe humba shikimin. Shkova në Vjenë, Bruksel dhe Londër për të kërkuar një kurë, por pa rezultat. Dëgjova se në Bullgari kishte një profesor që trajtonte verbërinë si timen me ndihmën e një ilaçi të nxjerrë nga një lule. Erdha në Bullgari e verbër dhe u ktheva duke parë me të dy sytë. Tri fjalë nuk do t’i harroj: lule, Nivalin, Paskov“, shkruan në ditarin e saj francezja Marsela Gëc.
Ndërsa në mbarë botën ilaçi merr njohjen e merituar, duke ndihmuar miliona fëmijë të sëmurë, në vendin e tij shpërthen një fushatë e shëmtuar kundër Dimitër Paskovit. Ai akuzohet për plagjiaturë nga „shkenca e madhe sovjetike“ – me gjasë nën presionin sovjetik, në mënyrë që zbulimi të mbetej pronë intelektuale sovjetike. Dhe megjithëse akademiku Sergej Aniçkov, pranë të cilit shkencëtari bullgar mbron doktoraturën, pranon meritat e tij për zbulimin e ilaçit, pasojnë një sërë represionesh. Dimitër Paskov shkarkohet nga posti i drejtuesit në Institutin e Mjekësisë Eksperimentale, akademiku Atanas Maleev, vëllai i bashkëshortes së diktatorit komunist Todor Zhivkov, shprehet kundër dhënies së titullit „Laureat i Çmimit Dimitrov“ dhe – nën presionin e tij – zbuluesi i „Nivalinit“ jep dorëheqjen edhe nga Instituti i Lartë i Mjekësisë. Deri në vdekjen e tij, ai punon në Bazën për Zbatimin dhe Zhvillimin pranë kompanisë më të madhe farmaceutike publike bullgare.
FOTO: Tregu i Librit
Ndërkohë, njeriu që u bë objekt zilie dhe intrigash në vendin e tij, njihet ndërkombëtarisht si zbuluesi i padiskutueshëm i ilaçit bullgar „Nivalin“, i prodhuar tërësisht nga lëndë e parë bullgare, dhe fiton famë dhe çmime ndërkombëtare. Në vitin 1961, televizioni francez transmeton një film për shkencëtarin bullgar dhe ilaçin e tij. Ai ftohet gjithashtu të mbajë leksione në Sorbonë. Një vit më vonë, Universiteti i Bolonjës boton veprën e parë të Dimitër Paskovit, „Farmakologjia dhe përdorimi klinik i Nivalinit“. Pak më vonë, ai boton një monografi, e cila përkthehet në italisht dhe rusisht, ku rrëfen në mënyrë të hollësishme për zbulimin e tij dhe e cila shërben si tekst shembullor në farmakologjinë eksperimentale. Pa dyshim, njohja më e madhe për shkencëtarin bullgar është çmimi ndërkombëtar për arritje në shkencë „Enio“, që i akordohet në Napoli dhe që ka vlerën e një „Oskari“ të mjekësisë.
FOTO: Pixabay
Dimitër Paskov ndahet nga kjo botë në vitin 1986, duke i lënë njerëzimit një ilaç ende aktual edhe sot, i cili ndihmon edhe në paralizën cerebrale, demencë dhe sëmundje neurologjike që prekin sistemin nervor qendror dhe periferik. Ai lë gjithashtu 120 punime në fushën e farmakologjisë, një tekst mësimor për mjekë dhe studentë, 20 shpikje dhe një sërë preparatesh mjekësore të bazuara në Nivalin. Të shëruarit e tij ia shpërblejnë me mirënjohje dhe madje në shtyp shfaqet edhe informacioni për një fëmijë të porsalindur me emrin Nivalina.
Shkencëtari, i zgjedhur nga banorët e qytetit Peshtera si “Personaliteti i Shekullit”, përcillet me një det të tërë lulesh dëbore – mijëra njerëz i shtrojnë një rrugë aromatike me këtë lule delikate, me fuqinë e së cilës ai arriti të shërojë miliona fëmijë në mbarë botën.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski