Lajm
Këshilli i Sigurisë i Bullgarisë dënoi sulmet në Detin e Zi
Presidentja Jotova: Lufta e Rusisë në Ukrainë ka çuar në një përkeqësim të ndjeshëm të mjedisit të sigurisë në rajon
Mërkurë 7 Tetor 2026 20:27
Mërkurë, 7 Tetor 2026, 20:27
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Këshilli Konsultativ për Sigurinë Kombëtare, i mbledhur nga presidentja e Bullgarisë, Ilijana Jotova, dënoi kategorikisht sulmet me dron ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi, duke i cilësuar ato si një shkelje të rëndë të së drejtës detare ndërkombëtare, dhe kërkoi një hetim të menjëhershëm për të identifikuar autorët e sulmeve.
Kjo u bë e ditur nga deklarata e kreut të shtetit pas mbledhjes pesëorëshe të organit këshillimor. Në takim u diskutuan rreziqet për sigurinë në Detin e Zi dhe kërcënimet e mundshme ndaj infrastrukturës kritike të vendit, të lidhura me luftën e vazhdueshme në Ukrainë.M
Shkaku që Presidentja Jotova ta thërrasë mbledhjen e parë të Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare gjatë mandatit të saj ishte incidenti në perimetrin e zonës ekskluzive ekonomike të Bullgarisë në Detin e Zi, ku më 6 tetor dy anije tregtare që lundronin nën flamur të huaj u goditën nga dronë luftarakë.
- Kryeministri e cilësoi të papranueshëm sulmin me dronë ndaj anijeve
- Dronë goditën dy anije mallrash 80 milje detare nga bregu bullgar
Presidentja Jotova deklaroi se lufta e Rusisë në Ukrainë ka sjellë një përkeqësim të ndjeshëm të mjedisit të sigurisë në rajonin e Detit të Zi dhe përmblodhi:
“Në dritën e incidenteve, u konstatua se ekzistojnë sfida serioze për mbrojtjen e infrastrukturës kritike. Kërcënimet janë pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së mundësisë për një zgjidhje paqësore të konfliktit ushtarak. U arrit dakordësi për vazhdimin e zbatimit të masave të Këshillit të Ministrave për kundërshtimin e kërcënimeve. Është propozuar të kryhet një analizë e kuadrit ligjor për zbatimin e këtyre masave. Këshilli Konsultativ për Sigurinë Kombëtare u bashkua rreth propozimeve të mëposhtme drejtuar pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Këto propozime u miratuan me shumicë prej tre të katërtash. Tre grupe parlamentare votuan kundër. Ne dënojmë sulmet ndaj anijeve tregtare dhe kërkojmë një hetim për identifikimin e autorëve të këtyre sulmeve”, shtoi Jotova.
“Garancia më e madhe për sigurinë tonë është një armëpushim i menjëhershëm. Bullgaria duhet të marrë pjesë aktivisht në këtë proces”, theksoi më tej presidentja.
“Bullgaria duhet të nisë urgjentisht konsultime me Rumaninë dhe Turqinë për veprime të përbashkëta me qëllim ndalimin e sulmeve ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi dhe garantimin e sigurisë së lundrimit. Bullgaria duhet të marrë një rol aktiv në negociata dhe në gjetjen e një konsensusi midis vendeve që kanë dalje në Detin e Zi. Këto janë Rusia, Ukraina, Bullgaria, Rumania, Gjeorgjia dhe Turqia”, deklaroi Ilijana Jotova.
Gjithashtu, është e nevojshme të forcohen masat për ndërgjegjësimin detar përmes përdorimit të sistemeve ajrore pa pilot për zbulim dhe vëzhgim, si dhe të përshpejtohen proceset e modernizimit të forcave të armatosura me qëllim pajisjen e tyre me sisteme kundër dronëve, të afta për ndërhyrje kinetike, në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n dhe Bashkimin Evropian.
Kryeministri Rumen Radev
FOTO: BGNES
Pas takimit, kryeministri Rumen Radev deklaroi se deri më tani nuk ka baza që Bullgaria ta përcaktojë kategorikisht Rusinë si autore të sulmeve ndaj mjeteve lundruese në zonën ekskluzive ekonomike të vendit. Sipas tij, përcaktimi i origjinës së dronëve të përdorur duhet të bazohet në prova konkrete dhe jo në hipoteza.
“Nëse gjykojmë nga natyra e ngarkesës dhe drejtimi i lëvizjes së anijeve, rezultati, parë në mënyrë logjike, është në favor të Rusisë. Por kjo nuk do të thotë se mund të pretendojmë se sulmi është kryer nga Rusia pa pasur prova. Kjo është një hipotezë dhe, kur bëhet fjalë për sigurinë kombëtare, ne nuk mund të punojmë me hipoteza”, komentoi ai.
Kryeministri theksoi se qeveria
do të propozojë koordinim me Turqinë dhe Rumaninë, ndërsa do të kërkohet edhe
mbështetja e partnerëve nga SHBA-ja për hetimin e zonës ku kanë ndodhur
goditjet.
Vëmendje e veçantë do t’i
kushtohet anijes Able, e cila ende ndodhet në ujë, me qëllim përcaktimin e
origjinës së dronëve, sqaroi Radev. Ai bëri të ditur gjithashtu se Bullgaria i
ka dërguar një kërkesë Agjencisë Evropiane për Sigurinë Detare (EMSA) për të
kryer pa pagesë një ekzaminim të mbetjeve të anijes së fundosur dhe, nëse është
e mundur, për të gjetur fragmente dronësh. “Vetëm atëherë mund të themi se
çfarë lloj droni është përdorur dhe kush e ka kryer sulmin”, deklaroi prerazi
Radev.
Kryeministri nënvizoi se, për
momentin, nuk mund të flitet për një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë
kombëtare të Bullgarisë, megjithëse rreziqet ekzistojnë:
“Nuk mund të them se ka një kërcënim të menjëhershëm për sigurinë kombëtare. Sigurisht që ka rreziqe. Jo larg nesh po zhvillohet një luftë. Siç e thashë, ajo po zgjeron shtrirjen e saj gjeografike dhe tashmë ka depërtuar edhe në zonën ekskluzive ekonomike të Republikës së Bullgarisë. Megjithatë, në këtë moment mund të them se nuk ka kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë kombëtare të Bullgarisë”, tha Rumen Radev.
Bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike” Ivajllo Mirçev
FOTO: BTA
“Ajo që u bë e qartë nga mbledhja e Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare është se ekzistojnë tregues të mjaftueshëm për një përfshirje të qartë të Rusisë në fundosjen e njërës prej anijeve”, deklaroi bashkëkryetari i “Bullgarisë Demokratike”, Ivajllo Mirçev, pas mbledhjes së Këshillit dhe shtoi:
“Nuk më kujtohet të ketë pasur në tryezë persona që të kishin dyshime se Rusia qëndron pas këtij sulmi.”
Deputeti tha gjithashtu se teksti i miratuar nga Këshilli
Konsultativ për Sigurinë Kombëtare nuk u mbështet nga katër parti të
përfaqësuara në parlament: “Bullgaria Demokratike” (DB), “Po e Vazhdojmë
Ndryshimin” (PP), Lëvizja për të Drejta dhe Liri (DPS) dhe “Vëzrazhdane”.
Stanisllav Anastasov
FOTO: BTA
Tema për të cilën nuk pati
konsensus ishte se kush është agresori, ndërsa kjo është plotësisht e qartë.
Kështu deklaroi Stanisllav Anastasov nga grupi parlamentar i DPS-së para
gazetarëve pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Konsultativ për Sigurinë
Kombëtare.
Kostadin Kostadinov
FOTO: BTA
Partia “Vëzrazhdane” këmbëngul që Bullgaria të jetë ndërmjetëse në konfliktin mes Rusisë dhe Ukrainës dhe jo të marrë pjesë në politika që, sipas saj, nxisin përshkallëzimin e veprimeve ushtarake. Këtë e deklaroi lideri i partisë, Kostadin Kostadinov, pas mbledhjes së Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare.
Nikollaj Denkov
FOTO: BTA
Nikollaj Denkov nga “Po e Vazhdojmë Ndryshimin” vuri theksin te votimi i qëndrimit të Këshillit Konsultativ dhe te fakti se katër nga gjashtë partitë parlamentare ishin kundër dokumentit. Sa i përket pyetjes se kush qëndron pas sulmit ndaj anijeve, ai nënvizoi se hetimi duhet të përfundojë para se të nxirren përfundimet e fundit.
Sipas tij, pjesëmarrësit në mbledhjen e Këshillit ishin të njëzëshëm se hetimi duhet të çohet deri në fund dhe se informacioni i siguruar prej tij duhet t’u dorëzohet institucioneve përkatëse.
“Ajo që gjithashtu u diskutua gjatë debatit është se e rëndësishme është të përcaktohet se kush e ka kryer realisht sulmin. Sulmi mund të kryhet edhe me dronë ukrainas, nëse ata kapen dhe kontrollohen nga dikush tjetër”, tha Denkov para gazetarëve.
Grupi parlamentar i GERB-SDS u përfaqësua nga lideri i GERB-it, Bojko Borisov, i cili nuk bëri asnjë koment pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare.
FOTO: BGNES
Në mbledhje morën pjesë kryetari i Kuvendit Popullor, kryeministri, ministrat e mbrojtjes dhe të punëve të brendshme, drejtuesit e shërbimeve të sigurisë, si dhe përfaqësues të grupeve parlamentare.
Aktet e Këshillit Konsultativ për Sigurinë Kombëtare (KKSK) kanë vetëm karakter konsultativ dhe këshillimor, duke shërbyer për arritjen e konsensusit politik dhe për dhënien e rekomandimeve lidhur me çështje strategjike që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit.
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva
- #Rusi
- #Deti i Zi
- #dronë
- #Nikollaj Denkov
- #Bojko Borisov
- # Kostadin Kostadinov
- #Ivajllo Mirçev
- #siguri
- #lufta në Ukrainë
- #luftë
- #Ilijana Jotova
- #Rumen Radev
- #anije të sulmuara
- #Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Bullgarisë
- #sulme me dronë
- #sigurimi në Detin e Zi
- #mbledhja e Këshillit Konsultativ të Sigurisë Kombëtare
- #dronë luftarakë
- #Stanisllav Anastasov