Lajm
Paleovullkane, dinozaurë dhe baltë shëruese në gjeoparkun e ardhshëm të Pomories
Enjte 8 Tetor 2026 11:26
Enjte, 8 Tetor 2026, 11:26
Drejtori i Grupit Lokal të Veprimit “Pomorie” Nikollaj Bojaxhiev
FOTO: BTA
Madhësia e shkronjave
Një projekt për krijimin e gjeoparkut të parë në Bullgari, i cili do të bashkojë objekte natyrore dhe kulturore-historike në një produkt të përbashkët turistik, u prezantua në Galerinë e Arteve të Qytetit “Deçko Stoev” në Pomorie. Koncepti, i hartuar nga Grupi Lokal i Veprimit “Pomorie”, synon të tërheqë më shumë turistë dhe të krijojë mundësi të reja për biznesin vendas.
“Prej dy vitesh po punojmë për këtë projekt dhe do të aplikojmë edhe për përfshirjen e tij në Rrjetin Global të Gjeoparqeve të UNESCO-s”, tha kryetari i bashkisë së qytetit bregdetar, Ivan Aleksiev. Sipas tij, projekti mund ta zgjerojë ofertën turistike me mundësi të reja për vizita, argëtim dhe përvoja të veçanta, duke orientuar fluksin e turistëve edhe drejt objekteve jashtë vendeve tradicionale turistike në Pomorie.
Gjeoparku do të përfshijë të gjithë territorin e komunës së Pomories dhe zonën përreth fshatit Golica në komunën Dollni Çiflik, në rajonin e Varnës. Ndër objektet e parashikuara janë tre paleovullkane në zonat e Dëbnikut, Kableshkovos dhe Kamenarit, Laguna e Pomories, Liqeni i Pomories, kriporet dhe vendburimet e baltës shëruese.
Në projekt është përfshirë edhe zona pranë fshatit Koziçino, ku janë ruajtur gjurmë të tranzicionit gjeologjik të ndodhur rreth 66 milionë vjet më parë, i lidhur me zhdukjen masive të shumë llojeve të gjalla dhe me zhdukjen e dinozaurëve jo-shpendorë.
Mësoni më shumë për Pomorie nga arkivi i Radio Bullgarisë:
Redaktoi: Diana Cankova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva
Publikoi / Publikuan: Vesella Mançeva