Pavijoni bullgar i Bienales së Venecias prezantohet paralelisht edhe në Norvegji

Bullgaria po lë gjurmë në historinë e këtij eventi të rëndësishëm në Itali. Projekti bullgar “Federata e Praktikave Minoritare” prezantohet për herë të parë edhe në një shtet të tretë, këtë herë në Norvegji

Premte, 9 Tetor 2026, 06:54

Pavijoni bullgar i Bienales së Venecias prezantohet paralelisht edhe në Norvegji

FOTO: Pavijoni bullgar në Bienalen e 61-të të Venecias

Madhësia e shkronjave


Pjesëmarrja e Bullgarisë në Bienalen e 61-të të Venecias po lë gjurmë në historinë e artit bashkëkohor, jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vetë këtë ngjarje të rëndësishme kulturore. Për herë të parë, një projekt që përfaqëson një pavijon kombëtar të Bienales prezantohet jashtë Italisë, duke ruajtur tërësinë e konceptit të tij artistik.

Pavijoni bullgar i Bienales së Venecias prezantohet paralelisht edhe në Norvegji

FOTO: Mihail Novakov

Nga 6 deri më 20 tetor 2026, projekti “Federata e Praktikave Minoritare”, i krijuar nga piktoret bullgare Veneta Androva, Geri Georgieva, Maria Nallbantova dhe Rajna Teneva, me kuratore Martina Jordanova dhe komisionere Desisllava Dimova, prezantohet në hapësirën kulturore NOUA, në qytetin norvegjez Bodo. Projekti është pjesë e “Arts of Democracy” (Artet e Demokracisë) – një program i ri kulturor dhe qytetar që trajton lidhjen mes artit, lirisë së shprehjes dhe demokracisë.“Është një nismë që zhvillohet si një javë festivali, me një sërë aktivitetesh shoqëruese, dhe që vazhdon nismën ‘Bodo – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2024’”, tha Martina Jordanova për Radio Bullgarinë.

Martina Jordanova

Martina Jordanova

FOTO: Mihaill Novakov

“Përtej Rrethit Arktik është prezantuar një rikrijim i pavijonit tonë, pasi, siç e dimë, pavijoni i vërtetë do të qëndrojë në Venecia deri më 22 nëntor. Në Norvegji prezantojmë katër filmat e krijueseve, të cilët janë pjesë e ekspozitës kryesore. Ata shfaqen në ekran të madh me videoprojeksion, njësoj si në Bienale. Gjithashtu, prezantojmë edhe elementin tjetër interaktiv që artistet krijuan së bashku – videolojën ‘Kazana’, por në përmasa më të vogla”, shpjegon Martina Jordanova.

Pavijoni bullgar i Bienales së Venecias prezantohet paralelisht edhe në Norvegji

FOTO: Pavijoni bullgar në Bienalen e 61-të të Venecias

Prezantimi i projektit bullgar në një shtet të tretë është veçanërisht i rëndësishëm për vazhdimësinë e tij si vepër arti dhe për ta sjellë atë përpara një audience edhe më të gjerë ndërkombëtare. Kjo sepse shumica e projekteve të pavijoneve kombëtare nga Venecia “zhduken” pas përfundimit të Bienales ose rrallë prezantohen në tërësinë e tyre. Temat e trajtuara nga krijueset bullgare, si dezinformimi dhe kujdesi kolektiv, janë veçanërisht të rëndësishme edhe në kuadër të programit të zhvilluar në Norvegji. Nuk është rastësi që bisedimet për prezantimin e projektit bullgar në Norvegji nisën që në mars të vitit 2025, para hapjes zyrtare të Bienales së Venecias. Ftesa erdhi nga një tjetër bashkatdhetare e jona, kuratorja Svetllana Kujumxhieva.

Svetllana Kujumxhieva

Svetllana Kujumxhieva

FOTO: openartfiles.bg

“Prej disa vitesh ajo punon për nismën “Bodo – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2024” dhe ka qenë këshilltare në ekipin e kësaj nisme. Siç e dini, Svetlana Kujumxhieva ishte drejtoreshë artistike e nismës “Plovdiv – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2019”, si dhe kryetare e jurisë që zgjodhi projektin tonë për të përfaqësuar Bullgarinë në Bienalen e Venecias këtë vit. Në Norvegji, kur u vendos që tema të ishte “Artet e Demokracisë”, ajo propozoi “Federatën e Praktikave Minoritare”.

Pavijoni bullgar i Bienales së Venecias prezantohet paralelisht edhe në Norvegji

FOTO: Pavijoni bullgar në Bienalen e 61-të të Venecias

Më shumë për interesin ndaj pavijonit bullgar në Bienalen e 61-të të Venecias

Bullgaria merr pjesë për herë të 12-të në këtë ngjarje prestigjioze të artit. Deri tani, përshtypjet kanë qenë jashtëzakonisht pozitive, tha Martina Jordanova për Radio Bullgarinë. Më shumë se 30 mijë njerëz kanë vizituar pavijonin bullgar në sallën “Ticiano” (Sala Tiziano), në Qendrën Kulturore “Don Orione Artigianelli”. Sipas Jordanovës, kjo tregon interesin e madh të publikut.

Salla “Tician”

Salla “Tician”

FOTO: bulgarianpavilionvenice.art

“Pjesëmarrja e Bullgarisë është pasqyruar shumë mirë jo vetëm në mediat vendase, por edhe në ato të huaja. Dua të theksoj se kjo nuk është aspak e lehtë, sepse konkurrenca është e madhe. Në Bienale ka 99 pavijone kombëtare dhe mes tyre janë edhe vende që kanë një prani shumë të fuqishme në këtë ngjarje”, pranon kuratorja.

Pavijoni bullgar i Bienales së Venecias prezantohet paralelisht edhe në Norvegji

FOTO: Mihaill Novakov

Më 14 tetor do të zhvillohet edhe takimi i parë i të gjithë ekipit me publikun bullgar, në Sallën e Konferencave të Qendrës Kulturore të Universitetit të Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, në Sofje, duke filluar nga ora 14:30. Desisllava Dimova dhe Martina Jordanova do të prezantojnë pavijonin, pas së cilës secila prej piktoreve do të flasë për punën e saj. Takimi do të përmbyllet me një diskutim të hapur, të drejtuar nga gazetari i Radios Kombëtare Bullgare dhe drejtues i Departamentit të Zhvillimit Strategjik në radion publike, Daniell Nençev. Në diskutim do të marrin pjesë edhe historianet e artit Vesella Nozharova dhe Snezhana Krësteva. Hyrja është e lirë.


 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova