Lajm
Rumen Radev dhe Marta Kos diskutuan procesin e zgjerimit të BE-së
Premte 9 Tetor 2026 09:28
Premte, 9 Tetor 2026, 09:28
FOTO: Këshilli i Ministrave
Madhësia e shkronjave
Kryeministri Rumen Radev dhe komisionerja evropiane për zgjerimin, Marta Kos, diskutuan zgjerimin e Bashkimit Evropian (BE) dhe konsolidimin e parimeve dhe vlerave evropiane në vendet kandidate për anëtarësim. Lajmi u bë i ditur nga shërbimi për shtyp i qeverisë bullgare. Marta Kos ndodhej për vizitë në Bullgari për të marrë pjesë në një forum kushtuar zhvillimit të Korridorit №8, i cili synon të lidhë Detin Adriatik dhe Detin e Zi. Gjatë takimit, Radev dhe Kos theksuan se përmirësimi i lidhjeve të transportit dhe i infrastrukturës në Ballkan është një përparësi e rëndësishme jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për Komisionin Evropian, i cili financon një sërë projektesh në këtë fushë. Ata nënvizuan rëndësinë e përshpejtimit të ndërtimit dhe zgjerimit të rrjeteve të transportit, energjisë dhe komunikimit digjital, të cilat janë thelbësore për zhvillimin e Evropës Juglindore.
Më 10 tetor, Marta Kos do të marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së linjës së trenave të shpejtë në Turqi, që lidh Çerkezkjoj me kufirin bullgar në pikën kufitare Kapëkule, njoftoi Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA). Ndërtimi i kësaj linje hekurudhore nisi në vitin 2019 dhe financohet bashkërisht nga Turqia dhe Bashkimi Evropian.
Redaktoi: Ivo Ivanov
Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova
Publikoi / Publikuan: Svetllana Dimitrova