Sonja Jonçeva dhe Domingo Hindoyan me albumin e parë së bashku

Shtunë, 10 Tetor 2026, 08:15

Sonja Jonçeva dhe Domingo Hindoyan me albumin e parë së bashku

FOTO: SY11 Events

Madhësia e shkronjave

Melomanët në mbarë botën presin tashmë takimin me “Diptyque” (“Diptik”), albumin e parë të përbashkët të yllit të madh bullgar të operës Sonja Jonçeva dhe bashkëshortit të saj, dirigjentit venezuelian Domingo Hindoyan.

Projekti është regjistruar me Orkestrën Filarmonike Mbretërore të Liverpulit (Royal Liverpool Philharmonic Orchestra) dhe përfshin vepra vokale dhe instrumentale të Giuseppe Martuccit, i njohur si “Bramsi italian”, si edhe të kompozitorit dhe muzikologut francez Joseph Canteloube, i cili njihet më së shumti për orkestrimet e këngëve folklorike.

Titulli “Diptyque” i referohet dy pjesëve të pavarura që formojnë një tërësi. Për Jonçevën dhe Hindoyanin ai mbart edhe një domethënie thellësisht personale: një takim mes dy botëve krijuese, mes një këngëtareje dhe një dirigjenti, mes dy bashkëshortëve që ruajnë individualitetin e tyre, por ndajnë të njëjtin horizont artistik.

Në këtë rrëfim të veçantë për dashurinë, mallin, kujtimet dhe lidhjet e padukshme mes njerëzve përfshihet edhe një premierë botërore diskografike: poema simfonike e Joseph Canteloube, “Drejt Princeshës së Largët” (Vers la Princesse lointaine), e bazuar në dramën me të njëjtin titull, La Princesse lointaine të Edmond Rostand. Vepra rrëfen historinë e dashurisë së paarritshme të një trubaduri mesjetar.

Sonja Jonçeva ia kushton albumin pedagoges së saj nga Konservatori i Gjenevës, Danielle Borst. Sipas artistes bullgare, Borst i ka mësuar gjithçka që i nevojitet një artisti të vërtetë: qëndrueshmërinë, finesën, elegancën dhe lirinë.

Sonja Jonçeva dhe Domingo Hindoyan me albumin e parë së bashku

FOTO: Facebook /SONYA YONCHEVA

Singli i parë nga albumi, një nga këngët e Martuccit, u publikua më 2 tetor në YouTube, Spotify dhe platforma të tjera. Singli i dytë, po ashtu një vepër e kompozitorit italian, pritet të publikohet më 16 tetor, ndërsa i treti, një nga këngët e “Triptikut” të Canteloube, do të dalë më 23 tetor. I gjithë albumi do të jetë i disponueshëm në tregun muzikor më 30 tetor 2026, nën etiketën ONYX Classics.

Partnerët në skenë dhe në jetë, Sonja Jonçeva dhe Domingo Hindoyan, do të performojnë së bashku në Sofje më 20 dhjetor 2026, në një gala të Krishtlindjeve me titull “Një Dritë”, që do të mbahet në sallën “Arena 8888”.

 

Mësoni më shumë për yllin e madh bullgar të operës Sonja Jonçeva nga arkivi i Radio Bullgarisë:

 

Redaktoi: Cvetana Tonçeva

Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva