Lajm
Një bullgare në Sidnej mbushi 100 vjeç dhe mori urim nga Mbreti Çarlsi III
Hënë 12 Tetor 2026 06:50
Hënë, 12 Tetor 2026, 06:50
FOTO: Facebook/RodinaSydney
Madhësia e shkronjave
Bullgarja Gina Kozhuharova, mësuese për shumë vite në Gjimnazin e Gjuhës Angleze në Plovdiv, ka mbushur 100 vjeç në qytetin australian të Sidnejit. Me rastin e jubileut të saj njëqindvjeçar, ajo mori një letër zyrtare urimi nga Mbreti Çarlsi III, i cili është edhe kreu i shtetit të Australisë. Lajmin për festimin e bëri të ditur Shoqata Kulturore dhe Sociale Bullgare “Rodina” në Sidnej.
Pas këtij përvjetori të jashtëzakonshëm qëndron historia e një gruaje që ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës arsimit dhe edukimit të brezave të nxënësve bullgarë. Dekada më vonë, ish-nxënësit e saj vazhdojnë ta kujtojnë me mirënjohje dhe dashuri.
“Përveç veçorive të shqiptimit në anglisht, ajo na mësoi sjellje të mira dhe, mbi të gjitha, dashuri dhe humanizëm”, shkruan një ish-nxënës i saj në një koment ndaj publikimit të shoqatës.
FOTO: Facebook/RodinaSydney
Ndër ata që e uruan jubilaren është edhe Maria Kraevska, nga matura e vitit 1967, e cila ndan kujtime të mrekullueshme nga koha e kaluar me mësuesen. Mirënjohjen e saj e shpreh gjithashtu edhe Ganka Koeva, nga matura e vitit 1973.
Rruga jetësore e Gina Kozhuharovës lidhet edhe me historinë e komunitetit bullgar në Australi. Ajo është motra e Stefan Kozhuharovit, themelues i Shoqatës Kulturore dhe Sociale Bullgare “Rodina” në Sidnej dhe mbajtës i Urdhrit të Australisë për kontributin e tij ndaj shoqërisë australiane dhe komunitetit bullgar.
FOTO: Facebook/RodinaSydney
Nga shoqata theksojnë se 100-vjetori i saj ka një simbolikë të veçantë, sepse kujton njerëzit dhe familjet që kanë ruajtur identitetin bullgar larg atdheut.
Në urimin e tyre, anëtarët e “Rodina”-s i dëshirojnë Gina Kozhuharovës shëndet, qetësi dhe shumë çaste të tjera të lumtura me të afërmit e saj.
Ndërkaq, urimet nga ish-nxënësit e saj në Bullgari tregojnë se distanca mes Plovdivit dhe Sidnejit nuk e ka zbehur kujtimin për mësuesen që ka lënë një gjurmë të qëndrueshme në jetën e tyre.
Lexoni më tepër për diasporën bullgare në Australi në arkivin
tonë:
- Ruajtja e programit bullgar në radio SBS bashkoi diasporën tonë në Australi
- Radioja Kombëtare Australiane prej 45 vitesh flet edhe në gjuhën bullgare
- Mbreti i luleve është bullgar dhe jeton në Melburn
Redaktoi: Miglena Ivanova
Përgatiti në shqip: Vesella Mançeva