Pesë bullgarë që lanë gjurmë në Amerikë dhe në botë

Petja Ilieva sjell në vëmendje historitë dhe kontributin e tyre, duke nxjerrë në pah ndikimin që patën përtej kufijve të atdheut

Dielë, 11 Tetor 2026, 14:04

Pesë bullgarë që lanë gjurmë në Amerikë dhe në botë

FOTO: Petja Ilieva

Madhësia e shkronjave

Portretet e pesë personaliteteve të shquara, të lindura në Bullgari, që emigruan në Shtetet e Bashkuara dhe atje arritën suksese me përmasa botërore, tashmë mund të shihen në stacionet e autobusëve në Sofje, Plovdiv, Veliko Tarnovo dhe Burgas. Bashkë me portretet, vizitorët mund të gjejnë edhe informacione të shkurtra për arritjet dhe kontributin e tyre. Kjo është pjesë e projektit të radhës “Arti për diplomacinë”, të piktores së talentuar dr.Petja Ilieva, e cila përmes artit e nxjerr kulturën në hapësirat publike, duke e sjellë atë drejtpërdrejt pranë njerëzve. As vendndodhja e portreteve nuk është zgjedhur rastësisht. Synimi është që njerëzit që kalojnë nëpër rrugët e qytetit ose presin transportin publik të kenë mundësinë të mësojnë diçka të re dhe të zgjerojnë horizontin e tyre përmes arsimit, kulturës dhe shkencës.

Petja Ilieva

Petja Ilieva

FOTO: Desisllava Shapkarova

“Historitë e këtyre pesë personave janë vërtet frymëzuese. Të gjithë kanë qenë fëmijë me interesa dhe prirje të veçanta, të cilët, me shumë punë dhe përkushtim, arritën t’i realizonin ëndrrat e tyre - tregon Petja Ilieva në një intervistë të posaçme për Radio Bullgarinë. - E përbashkëta e tyre është se që në moshë të hershme zgjodhën profesionin që do të ndiqnin, morën një arsimim shumë të mirë në fushën përkatëse dhe punuan me shumë pasion. E quajtëm këtë projekt  “Engjëjt bullgaro-amerikanë”. Ai u realizua me mbështetjen financiare të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Bullgari, sepse bëhet fjalë për bullgarë që arritën të shpalosnin plotësisht potencialin e tyre në Amerikë. Ata hodhën themelet e shkencave inxhinierike dhe hapësinore, pa të cilat Amerika nuk do të ishte ajo që është sot. Të pesë këta njerëz e ruajtën gjatë gjithë jetës lidhjen me atdheun e tyre dhe, sa herë u jepej mundësia, e përmendnin me krenari origjinën e tyre bullgare.”

 

Petja Ilieva mendon se emrat e Asen Jordanovit, Petër Petrovit, Viden Tabakovit, Xhon Atanasovit dhe Viola Esenit ndoshta nuk janë të njohur për shumicën e amerikanëve, por as për të rinjtë bullgarë të ditëve të sotme. Megjithatë, për specialistët e fushave përkatëse, ata përbëjnë një pikënisje dhe një burim frymëzimi.


Kush janë ata – bullgarët që ndryshuan Amerikën dhe botën?


Asen “Xheri” Jordanov (02.09.1896, Sofje – 19.10.1967, White Plains, SHBA)

Asen “Xheri” Jordanov

Asen “Xheri” Jordanov

FOTO: Petja Ilieva

Nga qielli mbi Sofje deri në kabinën e avionëve amerikanë – pionieri bullgar që ndihmoi në zhvillimin e aviacionit modern. Shpikës. Inxhinier. Pilot testues. Themelues i inxhinierisë aeronautike në Bullgari dhe autor i manualeve për përdorimin dhe mirëmbajtjen e avionëve të parë amerikanë të pasagjerëve. Asen Jordanov shpiku gjithashtu edhe airbag-un për automobila.

 

Viola Eseni (pseudonimi artistik i Violeta Kolçagovës)

Viola Eseni

Viola Eseni

FOTO: Petja Ilieva

Bullgaro-amerikania që pushtoi zemrën e Amerikës me vallëzimin e saj – me hijeshi dhe liri, duke kapur ritmin e shekullit të ri.

E bija e emigrantëve bullgarë – valltare dhe koreografe në trupën e njohur American Ballet Theater. Një nga krijueset e baletit modern amerikan. E dashura bullgare e Marlon Brandos.

 

Petër Petrov (21.10.1919, Brestovica – 27.02.2003, Huntsville, Alabama, SHBA) 

Petër Petrov

Petër Petrov

FOTO: Petja Ilieva

Nga Brestovica drejt yjeve – inxhinieri, idetë e të cilit ndihmuan në hapjen e epokës hapësinore të Amerikës.

Petër Petrov punoi si inxhinier në NASA dhe shpiku një nga sistemet e hershme të telemetrisë satelitore, orën digjitale dhe teknologjinë pa tela për monitorimin e zemrës në distancë. 

 

 

Viden Tabakov (14.12.1919, fshati Stakevci – 06.06.2015, Cincinnati, SHBA)

Viden Tabakov

Viden Tabakov

FOTO: Petja Ilieva

Inxhinier, shkencëtar, shpikës dhe pedagog. Bullgaro-amerikan, ai punoi në kuadër të programit amerikan hapësinor “Apollo”.

Nga fshati Stakevci deri në NASA – Tabakovi ishte një pionier në përmirësimin e sistemeve të shtytjes reaktive, duke kontribuar në hapjen e rrugës për eksplorimin e hapësirës.

 

 

Xhon Vincent Atanasov (04.10.1903, Hamilton – 15.06.1995, Frederick, SHBA)

Xhon Vincent Atanasov

Xhon Vincent Atanasov

FOTO: Petja Ilieva

Xhon Atanasov, profesori amerikan i fizikës dhe matematikës me origjinë bullgare, njihet gjerësisht si “babai i kompjuterit”. Së bashku me studentin e tij, Kliford Berrin, Atanasovi krijoi në Universitetin Shtetëror të Ajovës kompjuterin e parë elektronik digjital në botë. Ky ishte një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e shkencës moderne, i realizuar gjatë viteve 1939–1942.

 

 

Pesë fate të ndryshme, pesë histori dhe një lidhje e përbashkët – Bullgaria. Me projektin “Engjëjt bullgaro-amerikanë”, Petja Ilieva na nxit të interesohemi më shumë për këta bullgarë të shquar dhe për kontributin e tyre në përparimin e botës.


Panelet e printuara me portretet e tyre do të udhëtojnë dhe do të shfaqen në vende të ndryshme, me synimin për t’iu përcjellë historitë e tyre një rrethi sa më të gjerë njerëzish. “Shpresoj që në të ardhmen të arrijnë edhe në SHBA, në mënyrë që edhe publiku i gjerë atje të ketë mundësinë t’i njohë këta personalitete”, tha në fund Petja Ilieva.

 

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova