Autor
Gergana Mançeva
Artikull
Euroja hyri pa tronditje, por qytetarët vuajnë nga rritja e çmimeve
Martë 13 Tetor 2026 15:30
Martë, 13 Tetor 2026, 15:30
FOTO: Pixabay
Madhësia e shkronjave
Që nga 1 janari 2026, Bullgaria është pjesë e Eurozonës, ndërsa kalimi teknik nga leku bullgar (levi) në euro u vlerësua si i qetë, pa tronditje. „Pagesat vazhduan pa ndërprerje, llogaritë u konvertuan, u siguruan sasi të mjaftueshme parash të gatshme dhe klientët morën shërbimin e nevojshëm. Ky operacion përfundoi pa tronditje sistemike. Kemi arsye të jemi të kënaqur, por jo të vetëkënaqur. Vlerësimin do ta japë shoqëria, bazuar në përvojën e përditshme – përmes çmimeve, normave të interesit, qasjes në kredi dhe sigurisë së kursimeve“, përmblodhi guvernatori i Bankës Kombëtare të Bullgarisë (BNB), Dimitër Radev, pas gjashtë muajve të parë.
Dimitër Radev
FOTO: BGNES
Megjithatë, vlerësimi i qytetarëve nuk është aq i njëtrajtshëm. Kanë kaluar tashmë 10 muaj që kur përdorim kartëmonedhat euro për pagesa dhe pothuajse e kemi harruar kursin levë–euro, i cili ishte afërsisht 2 me 1. Shumica e bullgarëve vërejnë se të ardhurat e tyre në euro nuk u mjaftojnë edhe më shumë se më parë dhe se u duhet të shkurtojnë shpenzimet e përditshme. Rritjet më drastike të çmimeve janë shënuar te qiratë dhe çmimet e pronave të paluajtshme, shërbimet, si dhe karburantet. Inflacioni për gushtin e vitit 2026 arriti në 4,5%, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
FOTO: Pexels
„Sot jemi sërish dëshmitarë të një goditjeje të jashtme të çmimeve, të lidhur me tensionet gjeopolitike dhe paqëndrueshmërinë e tregjeve të energjisë“, shpjegoi guvernatori i BNB-së, duke e krahasuar situatën me kulmin e inflacionit në vitin 2022, kur inflacioni mesatar vjetor në Bullgari arriti në nivelin më të lartë prej 15,6% gjatë disa muajve të caktuar. Aktualisht, inflacioni në Bullgari është dukshëm më i ulët se ai i vitit 2022, por mbetet mbi nivelin mesatar të Eurozonës, i cili është 3%. Sipas Dimitër Radevit, „intensiteti më i lartë energjetik dhe varësia më e madhe nga importet bëjnë që goditjet e jashtme të çmimeve të përcillen më shpejt dhe më fuqishëm“, gjë që është një nga arsyet e inflacionit më të lartë në vendin tonë.
Maja Manollova
FOTO: BGNES
Megjithatë, qytetarët janë të bindur se që kur vendi ynë hyri në Eurozonë, çmimet e shumë mallrave dhe shërbimeve janë pothuajse dyfishuar. Këto vëzhgime u konfirmuan edhe nga kryetarja e Komisionit për Mbrojtjen e Konsumatorëve, Maja Manollova, e cila më 12 tetor bëri publike rezultatet e kontrolleve të kryera në zinxhirët tregtarë në Bullgari. Marzhet e fitimit për një sërë produktesh ushqimore në zinxhirët e mëdhenj tregtarë tejkalojnë 100%, ndërsa te disa produkte të qumështit marzhi arrin deri në më shumë se 140%, theksoi Manollova. Sipas saj, marzhet e dyfishta dhe ato edhe më të larta janë krijuar gjatë vitit të fundit, në periudhën menjëherë para dhe gjatë futjes së euros. „Me futjen e euros, duket qartë se janë marrë masa shtesë që çmimet të fryhen shumë kohë përpara datës së fillimit. Problemi nuk është futja e euros, por mënyra se si u bë ajo dhe mungesa absolute e veprimeve nga ana e qeverisë së atëhershme për këtë çështje“, është qëndrimi i prerë i Manollovës.
Deri në çfarë mase futja e euros në Bullgari është shkak i inflacionit në vendin tonë?
Sipas ekonomistit Rumen Gëllëbinov, vetëm një pjesë e vogël e rritjes së çmimeve ka të ngjarë t'i atribuohet euros. „Kjo lidhet kryesisht me rrumbullakimin e kursit të këmbimit të përcaktuar. Në përgjithësi, tregtarët e ndershëm e respektuan atë, por kishte edhe nga ata që e rrumbullakosën kursin drejtpërdrejt në raportin 1 me 2. Kishte edhe spekulantë të tjerë që vendosën se mund t'i shisnin mallrat e tyre me çmime të dyfishta, dhe kjo ndikoi gjithashtu në inflacion“, deklaroi analisti për Radio Bullgarinë.
Rumen Gëllëbinov
FOTO: BGNES
„Në Sofje u zhvillua një takim i Mekanizmit Evropian të Stabilitetit, ku u konstatua se Bullgaria e ka pranuar me sukses euron më 1 janar 2026, se pagesat dhe këmbimi i valutës kanë funksionuar normalisht dhe se vetëm një pjesë e vogël e inflacionit që kemi aktualisht në Bullgari lidhet me pranimin e valutës së re, e cila, në fakt, është e vjetër për ne, sepse kemi qenë në një regjim të bordit monetar, me kurs të fiksuar të levës ndaj euros prej 1,95583.
Natyrisht, shteti duhej të ndërhynte pak më vendosmërisht përmes funksioneve të kontrollit dhe mbikëqyrjes së organeve rregullatore, dhe me siguri ka ende vend për përmirësime në këtë drejtim. Në të njëjtën kohë, kemi parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), sipas të cilave inflacioni mesatar vjetor në Bullgari do të jetë 3,8%. Kjo do të thotë se ekziston mundësia që inflacioni të ulet deri në fund të vitit, në mënyrë që mesatarja vjetore të arrijë në 3,8%, ndërsa për rritjen ekonomike FMN-ja parashikon një rritje prej 2,8%. Nga ana tjetër, Banka Botërore parashikon një rritje edhe më të ulët, prej 2,6%, si dhe inflacion rreth 3,6% për këtë vit. Ka të ngjarë që ne të arrijmë një inflacion mesatar vjetor afër 4%.“
FOTO: Pexels
Megjithatë, më e rëndësishmja është se ekonomia jonë po funksionon mirë, shton Rumen Gëllëbinov, duke iu referuar të dhënave të parashikuara nga FMN-ja, sipas të cilave, në vitin 2028, Bullgaria mund ta tejkalojë Greqinë për sa i përket PBB-së për frymë. Në vitin 2026, vendi ynë tashmë ka shënuar rritje ekonomike më të lartë se disa ekonomi të Ballkanit, përkatësisht ato të Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës.
FOTO: E siguruar nga Rumen Gëllëbinov
Rumen Gëllëbinov pret që të ketë një tjetër rritje të të ardhurave. Bëhet fjalë për pagën minimale, për të cilën aktualisht po zhvillohen negociata ndërmjet qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave lidhur me faktorët që duhet të merren parasysh gjatë përllogaritjes së saj. Sipas Gëllëbinovit, ka të ngjarë që paga minimale të rritet me rreth 8% në vitin 2027. Aktualisht, ajo është 620,20 euro bruto. „Kjo do të thotë rreth 50 euro më shumë se sa është aktualisht“, parashikon ekonomisti. Megjithatë, sipas tij, një nga arsyet kryesore të inflacionit të lartë në vend është rritja e çmimeve të karburanteve, përkatësisht të benzinës dhe naftës. „Nafta është karburanti që përdoret më shpesh në Bullgari. Përveç transportit të mallrave, një pjesë shumë e madhe e automjeteve private të qytetarëve në vendin tonë funksionojnë gjithashtu me naftë“, vëren Rumen Gëllëbinov.
FOTO: BGNES
„Si rrjedhojë, rritja e çmimeve të karburanteve është reflektuar gjatë dy-tre muajve të fundit edhe në të gjitha çmimet e tjera përgjatë zinxhirit të vlerës së shtuar. Shteti duhej të kishte reaguar më herët me masa kundër çmimeve të larta të karburanteve. Tani mbetet të shohim nëse masat e miratuara deri më sot do të japin rezultat, apo nëse do të jetë e nevojshme të miratohen edhe masa të tjera. Ekzistojnë mundësi për uljen e akcizës mbi karburantet, si dhe për uljen e përkohshme të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) për karburantet. Ka edhe mundësi të tjera që lidhen me ndihmën që mund të japë shteti, siç ka bërë edhe më parë. Për shembull, çmimi përfundimtar në pompë mund të jetë 10 ose 15 euro më i ulët, falë një zbritjeje të ofruar nga shteti për qytetarët që furnizojnë me karburant automjetet e tyre private. Një masë e tillë është zbatuar edhe disa vite më parë. Atëherë, zbritjet gjatë furnizimit me karburant për automjetet private jepeshin në stotinka.
FOTO: BGNES
Do të shohim nëse masa e miratuar për mbështetjen financiare prej 50 eurosh për personat në nevojë do të japë efektin e dëshiruar. Sipas mendimit tim, ndihet nevoja që shteti të vazhdojë me një fushatë disi më të gjerë mbështetëse për popullsinë, me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve.“
Sigurisht, përveç çmimeve të karburanteve, nga njëra anë, dhe dëshirës së tregtarëve për të realizuar fitime të shpejta gjatë vitit kur u pranua euroja, ekziston edhe një çështje tjetër që duhet të jetë në vëmendjen e qeveritarëve: ngushtimi i përmasave të ekonomisë informale. Në këtë drejtim, Bullgaria ka mundësi të konsiderueshme për të mbledhur më shumë të ardhura nga taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, kujton ekonomisti Rumen Gëllëbinov në një intervistë për Radio Bullgarinë.
Përgatiti në shqip: Sindi Nikollofski