Radev: Do të bisedojmë me Turqinë dhe Rumaninë për sigurinë në Detin e Zi

Martë, 13 Tetor 2026, 13:16

Radev: Do të bisedojmë me Turqinë dhe Rumaninë për sigurinë në Detin e Zi

FOTO: Këshilli i Ministrave

Madhësia e shkronjave

Kryeministri Rumen Radev u takua në ndërtesën e Këshillit të Ministrave me ambasadoren ruse Eleonora Mitrofanova, pas sulmeve me dronë ndaj anijeve tregtare në afërsi të ujërave territoriale bullgare.  Gjatë takimit, Radev theksoi se sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi janë plotësisht të papranueshme dhe çojnë në përshkallëzim të ndjeshëm të konfliktit. Ai shtoi se Bullgaria do të vazhdojë hetimet për këto sulme, në bashkëpunim me aleatët e saj në Bashkimin Evropian dhe NATO, me qëllim zbardhjen e së vërtetës. Radev deklaroi se nuk ka prova përfundimtare që të përcaktojnë se nga kanë ardhur dronët e përdorur në sulme. Megjithatë, sipas tij, nuk ka logjikë që Ukraina të shkatërrojë anijet e veta, ndërsa pasojat e këtyre sulmeve janë në favor të Rusisë.

Ambasadorja Mitrofanova u përgjigj se e kupton këtë arsyetim, por se nuk ka informacion nga Ministria e Mbrojtjes në Moskë lidhur me sulmet e fundit ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi. Ajo nuk përjashtoi as mundësinë që sulmet të jenë provokim i organizuar nga një palë e tretë, bëri të ditur shërbimi për shtyp i qeverisë bullgare.

Gjatë bisedimeve, kryeministri Radev theksoi gjithashtu se Bullgaria do të nisë bisedime me Rumaninë dhe Turqinë për të garantuar sigurinë e lundrimit në Detin e Zi, njofton AgjenciaTelegrafike Bullgare (BTA).

Lexoni më shumë mbi temën:


Redaktoi: Ivo Ivanov

Përgatiti në shqip: Svetllana Dimitrova